Botë

Izraeli paralajmëron libanezët të mos kthehen në zonën kufitare

Liban

Foto: Associated Press

Ushtria izraelite i ka paralajmëruar të shtunën banorët e fshatrave të Libanit afër kufirit me Izraelin, të mos kthehen deri në njoftimin e radhës, një ditë pasi Izraeli ka deklaruar se trupat e tij do të qëndrojnë në jug të Libanit edhe pas së dielës, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja që përfundoi luftën e vitit të kaluar në mes Izraelit dhe Hezbollahut parashihte se forcat izraelite duhej të tërhiqeshin derisa luftëtarët dhe armët e grupit të mbështetur nga Irani të largohen nga jugu dhe të vendoset ushtria libaneze. Marrëveshja ka pasur periudhë 60-ditore dhe përfundon të dielën.

Por të premten Izraeli ka njoftuar se parametrat e armëpushimit nuk janë ndjekur plotësisht nga Libani, që nënkupton qëndrimin e forcave izraelite edhe pas të dielës, pa caktuar se sa gjatë.

Ushtria libaneze ka deklaruar të shtunën se Izraeli po e vonon tërheqjen.

Në njoftim në rrjetin social X, ushtria izraelite ka postuar një hartë që tregon shumë fshatra në jug të Libani duke ua rikujtuar banorëve që u ndalohet të kthehen në shtëpitë e tyre deri në njoftimin e radhës.

“Çdo kush që lëviz në jug të kësaj linje, e vendos veten në rrezik”, ka shkruar ushtria në X. Linja zgjatet nga Shebaa, më pak se dy kilometra nga kufiri në lindje, deri te Mansouri në perëndim – rreth dhjetë kilometra nga kufiri.

Armëpushimi u ka dhënë fund më shumë se një vit luftimesh të cilat ishin nxitur nga lufta në Gazë dhe kulmoi me ofensivë të madhe të ushtrisë izraelite kundër Hezbollahut, e cila zhvendosi më shumë se një milion njerëz në Liban dhe e dobësoi shumë organizatën.

Ushtria izraelite ka shtuar se është duke konfiskuar armë të Hezbollahut dhe po ia shkatërron infrastrukturën.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të premte, se një zgjatje e shkurtë e armëpushimi është e nevojshme urgjentisht.

Hezbollah, i cili ka pësuar humbje të mëdha gjatë luftës, ka deklaruar të enjten  se çdo vonesë në tërheqjen e trupave izraelite do të ishte shkelje e papranueshme e marrëveshjes dhe se është përgjegjësia e shtetit të Libanit të reagojë. Hezbollah ka deklaruar se shteti libanez duhet të përballet me situatën “me të gjitha mënyrat dhe metodat që garantohen me të drejtën ndërkombëtare”.