Izraeli është në “gatishmëri të lartë” ndaj një përgjigjeje të mundshme nga Irani, ka thënë një burim nga ushtria izraelite për CNN. Por, burimi ka shtuar se ata po punojnë për të përcaktuar nëse dhe kur mund të ndodhë hakmarrja.
Sulmet e fundit të Izraelit në objektet e prodhimit raketor dhe sistemeve ajrore të mbrojtjes së Iranit kanë krijuar dilemë për Teheranin, sipas tij, pasi kapacitetet e Iranit për ta sulmuar Izraelin dhe ta mbrojtur veten nga sulmet në të ardhmen, janë zvogëluar.
CNN një ditë më parë raportoi nga një burim se Irani do të përgjigjet ndaj sulmit të fundit të Izraelit. Për këtë nuk dihet më shumë, por sipas burimit, sulmi mund të ndodhë para ditës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Ushtria izraelitë më 25 tetor goditi disa caqe në Iran si hakmarrje për sulmin e këtij të fundit muajin e kaluar. Ishte hera e parë që Izraeli publikisht pranoi sulmin në territorin iranian.