Botë

Izraeli ndalon futjen e ndihmave humanitare në Gaza

Benjamin Netanyahu

Qeveria e Izraelit ka ndaluar futjen e ndihmave humanitare në Gaza, pasi faza e parë e armëpushimit me Hamasin ka skaduar, raporton “BBC”. 

Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Hamasi ka refuzuar deri më tash që ta pranojë zgjatjen e përkohshme të armëpushimit, siç u propozua nga emisari i SHBA-së, Steve Witkoff. 

Një zëdhënës i Hamasit e ka quajtur këtë lëvizje “shantazh” dhe u ka bërë thirrje ndërmjetësuesve ta bindin Izraelin që ta lejojë futjen e ndihmave. 

Grupi militant palestinez dëshiron që faza e dytë e armëpushimit të procedohet siç ishte dakorduar më herët, me lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza dhe të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael e po ashtu me tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza. 

Të premten mbrëma, Hamasi tha se nuk do të pajtohet me ndonjë zgjatje të fazës së parë të armëpushimit pa pasur garanci nga ndërmjetësuesit e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit se faza e dytë do të ndodhë. 

“Pas përfundimit të fazës së parë të marrëveshjes për pengjet dhe pas refuzimit të Hamasit për ta pranuar propozimin e Witkoffit – të cilin Izraeli e pranoi – kryeministri Netanyahu ka vendosur, që nga ky mëngjes, do të ndalohet hyrja e mallrave e furnizimeve në Rripin e Gazës. Izraeli nuk do ta lejojë një armëpushim pa lirimin e pengjeve. Nëse Hamasi vazhdon me refuzimin, atëherë do të ketë pasoja tjera”, është thënë nga zyra e Netanyahut. 

E ndaj kësaj ka reaguar Hamasi. 

“Vendimi i Netanyahut për ta ndaluar futjen e ndihmave në Gaza sërish tregon fytyrën e shëmtuar të okupatorit izraelit...Komunititeti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion ndaj qeverisë izraelite që ta ndalojë vdekjen nga uria të njerëzve tanë”, ka thënën një zëdhëmës i Hamasit. 

Mbrëmë, zyra e Netanyahut kishte njoftuar se Izraeli ka aprovuar zgjatjen e armëpushimit në Gaza për gjashtë javët e ardhshme, duke mbuluar muajin e Ramazanit dhe po ashtu Pashkët Hebraike.

Zyra e Netanyahut ka thënë se sipas marrëveshjes së armëpushimit të propozuar nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, gjysma e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi në Gaza – të gjallë dhe të vdekur – do të lirohen në ditën e parë. 

Pjesa tjetër e pengjeve do të lirohen “nëse do të arrihet marrëveshja për një armëpushim të pëhershëm”. 

Witkoff nuk ka bërë publik propozimin e tij. 

Faza e parë e armëpushimit Izrael – Hamas hyri në fuqi më 19 janar dhe skadoi të shtunën. Gjatë kësaj faze u liruan 33 pengje izraelite e pesë tajlandeze, dhe rreth 1900 të burgosur palestinezë. 
Por, faza e dytë ende nuk ka nisur. Besohet se 24 pengje që mbahen në Gaza janë ende gjallë, dhe 39 tjerë besohet se kanë vdekur. 

Hamasi kreu sulm të paprecedentë në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona dhe marrë peng 251 tjerë. 

Izraeli reagoi me sulme ajrore dhe tokësore në Gaza, gjatë të cilave u vranë 48 mijë e 365 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.