Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka paralajmëruar se ushtria e Izraelit është e aftë që ta kthejë Libanin “në epokën e gurit” nëse ndodh një luftë me militantët e Hezbollahut.
Gallant ka shtuar se pavarësisht kësaj, qeveria e tij preferon një zgjidhje diplomatike në kufirin Izrael-Liban, raporton The Guardian.
Duke folur me gazetarët gjatë kthimit nga një vizitë në Washington, Gallant gjithashtu ka thënë se ai diskutoi me zyrtarë të lartë amerikanë propozimet e tij për qeverisjen e Gazës së pasluftës që do të përfshinte palestinezë vendas, partnerë rajonalë dhe SHBA-në, por se do të ishte "një proces i gjatë dhe kompleks.”
Ndihmësit kryesorë të presidentit amerikan, Joe Biden i kanë thënë Gallant se Washingtoni do të vazhdojë me pauzën në dërgesën e bombave të rënda për Izraelin, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters.
Forcat izraelite sulmuan disa zona në të gjithë Gazën të mërkurën dhe banorët raportuan për luftime të ashpra gjatë natës në Rafah. Banorët kanë thënë se luftimet u intensifikuan në lagjen Tel Al-Sultan në perëndim të Rafahut, ku tanket po përpiqeshin gjithashtu të shkonin drejt veriut mes përleshjeve të rënda.
Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik kanë thënë se luftëtarët sulmuan forcat izraelite me raketa antitank dhe bomba mortajash.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar të mërkurën fuqitë perëndimore se mbështesin ato që ai tha se ishin planet izraelite për të sulmuar Libanin dhe për "përhapjen e luftës" në të gjithë rajonin.
“Izraeli tani po i drejtohet Libanit dhe ne shohim se fuqitë perëndimore në prapaskenë po mbështesin Izraelin”, ka deklaruar Erdogani gjatë një fjalimi në Kuvend.