Botë

Izraeli intensifikon sulmet në Bejrut

sulmet

Izraeli ka rritur fluksin e sulmeve ndaj Libanit, duke e shënjestruar jugun e kryeqytetit Bejrut. E ka goditur edhe një kamp të refugjatëve palestinezë. E nga sulmet, kanë mbetur të vrarë dy zyrtarë të lartë të krahut ushtarak të Hamasit

Ushtria izraelite ka intensifikuar bombardimet në Liban, duke goditur pjesë të ndryshme të Bejrutit jugor. Për herë të parë është sulmuar edhe një kamp i strehimit të refugjatëve palestinezë në thellësi të Libanit verior.

Si pasojë e sulmit në kampin Beddawi, afër Tripolit, mbeti i vrarë një zyrtar i krahut ushtarak të Hamasit, bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla, ka konfirmuar grupi palestinez.

Hamasi e konfirmoi edhe vrasjen e një tjetër anëtari të krahut ushtarak në sulmin izraelit në Luginën lindore Bekaa, në Liban. Lajmin për vrasjen e dy anëtarëve të grupit e konfirmoi edhe ushtria izraelite.

E në ushtrinë izraelite bënë të ditur se rreth 90 raketa u hodhën nga Libani në territorin izraelit. Sipas zyrtarëve ushtarakë, shumica e tyre u pritën nga mburoja raketore izraelite, ndërsa disa ranë në qytetin verior arab të Deir al-Asadit, ku policia izraelite raportoi për tre të plagosur lehtë.

Në më pak se dy javë prej kur Izraeli i ka përshkallëzuar sulmet në Liban, të paktën 1 mijë e 400 libanezë, përfshirë civilë, ndihmësmjekësorë e luftëtarë të Hezbollahut, kanë mbetur të vrarë, ndërsa mbi 1.2 milion qytetarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Hezbollahu dhe ushtria izraelite kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë, duke i detyruar me dhjetëra mijëra njerëz në të dy anët e kufirit të largohen nga shtëpitë.

Javën e shkuar, Izraeli e nisi atë që e quajti operacion të kufizuar tokësor në Libanin jugor, teksa i intensifikoi sulmet ajrore edhe në kryeqytetin Bejrutit. Nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë në përleshjet intensive tokësore, që sipas zyrtarëve shtetërorë izraelitë, kanë lënë të vrarë 250 luftëtarë të Hezbollahut.

Më shumë se 200 mijë  njerëz kanë ikur nga Libani për në Siri “si rezultat i sulmeve ajrore të Izraelit”, sipas Kombeve të Bashkuara.

Një përditësim nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, ka treguar se ky numër përfshin edhe qytetarë libanezë, edhe sirianë që jetojnë në Liban.

Të dhënat nga qeveria e Libanit e çojnë totalin në 300 mijë. Të premten, një sulm izraelit ka goditur pikëkalimin kryesor mes të dyja shteteve duke pamundësuar kalimin e automjeteve.

Ushtria izraelite ka njoftuar se goditi caqe të Hazbollahut në pikëkalimin Masnaa dhe pretendoi se grupi po e përdorte për të futur armë.