Botë

Izraeli i jep afat Gazës për lirimin e pengjeve

Ish-ministri i Mbrojtjes në Izrael, Benny Gantz, ka paralajmëruar se nëse Hamasi nuk liron të gjitha pengjet e mbajtur deri më 10 mars, një ofensivë do të nisë në Rafah.

Kundërshtimet gjithandej botës janë duke u rritur kundër një sulmi të tillë në Rafah, vend që janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë.

Më herët, agjencia e shëndetit publik të OKB-së tha se një spital kyç i Gazës kishte pushuar së funksionuari pas një sulmi izraelit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se nuk ishte lejuar të hynte në spitalin Nasser në Khan Yunis, në veri të Rafah, për të vlerësuar situatën.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) hynë në kompleks të enjten, duke thënë se inteligjenca tregoi se pengjet e marra nga Hamasi po mbaheshin atje.

IDF e ka përshkruar operacionin e saj në Nasser si “të saktë dhe të kufizuar”, duke akuzuar Hamasin se “përdor në mënyrë cinike spitalet për terror”.

Duke folur të dielën, Gantz, tha se “Bota duhet ta dijë, dhe udhëheqësit e Hamasit duhet ta dinë - nëse deri në Ramazan pengjet tanë nuk janë në shtëpi, luftimet do të vazhdojnë kudo, për të përfshirë zonën e Rafahut”.

Ramazani - muaji i shenjtë islamik i agjërimit - këtë vit fillon më 10 mars.

Gantz shtoi se Izraeli do të veprojë në “mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët tanë amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat civile”.