Botë

Izraeli do të marrë masa ligjore kundër Macronit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, ka thënë të dielën se ka urdhëruar t’i nisë procedurat ligjore kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, pasi Parisi ua ka ndaluar pjesëmarrjen firmave izraelite në shfaqen e ardhshme tregtare ushtarake detare, raporton Reuters.

Vendimi për t’i ndaluar firmat izraelite është incidenti i fundit i nxitur nga shqetësimi i qeverisë së Macronit, për mënyrën se si po menaxhohet lufta në Gaza dhe në Liban nga Izraeli.

Euronaval, organizuesi i ngjarjeve nga 4 deri më 7 nëntor në Paris, ka thënë në një deklaratë javën e kaluar se qeveria franceze ka informuar që delegacioneve izraelite nuk do t’u lejohet të kenë stenda të ekspozitës ose t’i shfaqin pajisjet, por se mund të marrin pjesë në shfaqen e tregtisë.

Vendimi ka prekur shtatë firma.

“Kam udhëzuar Ministrinë e Jashtme të ndërmarrë hapa ligjorë dhe diplomatikë kundër presidentit francez”, ka thënë Katz në një deklaratë në platformën X.

“Bojkotimi i kompanive izraelite për herë të dytë, ose vendosja e kushteve të papranueshme përbëjnë masa jodemokratike, të cilat nuk pranohen mes kombeve mike. I bëj thirrje presidentit Macron t’i anulojë vendimet plotësisht”, ka shtuar ministri izraelit.