Botë

Izraeli do të dërgojë një delegacion në Katar, për të negociuar armëpushimin me Hamasin

Izrael

Foto: Associated Press

Zyra e kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do të dërgojë një delegacion të hënën në Doha të Katarit, si përpjekje për të avancuar negociatat e armëpushimit në Gaza, raporton AP.

Ndërkaq grupi militant palestinez, Hamas, ka raportuar “sinjale pozitive” në bisedimet e mbajtura me ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari, sa i përket fillimit të negociatave për fazën e dytë të armëpushimit.

Deklarata nga zyra e kryeministrit izraelit nuk dha detaje të reja, përveç se kishte “pranuar një ftesë nga ndërmjetësit amerikanë”. Zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif al-Qanoua, po ashtu nuk shpalosi asnjë detaj të ri.

Momentalisht nuk ka pasur asnjë koment prej Washingtonit zyrtar, i cili të mërkurën konfirmoi bisedimet direkte me Hamasin.

Në javën e fundit, Izraeli ka ushtruar trysni mbi Hamasin për lirimin e gjysmës së pengjeve të mbetura në Gaza në këmbim të zgjatjes së fazës së parë të armëpushimit, e cila ka përfunduar zyrtarisht fundjavën e kaluar.

Faza e dytë e armëpushimit parasheh që të arrihet një armëpushim i përhershëm, me këmbimin e pengjeve të mbetura me të burgosurit palestinezë dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza.

Ndërsa, faza e tretë dhe e fundit njëkohësisht, parasheh që të rikthehen të gjithë trupat e pengjeve të vdekur, si dhe të dakordohen kushtet për rindërtimin e Gazës.