Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë të enjten në mbrëmje për të diskutuar pozicionet e reja të Hamasit për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, ka thënë një burim në zyrën e Netanyahut.
Para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu do të ketë konsultime me ekipin e tij të negociatave për armëpushim, ka thënë gjithashtu burimi, raporton Reuters.
Izraeli mori përgjigjen e Hamasit të mërkurën ndaj një propozimi të bërë publik në fund të majit nga presidenti amerikan, Joe Biden që do të përfshinte lirimin e rreth 120 pengjeve të mbajtura në Gaza dhe një armëpushim në enklavën palestineze.
Një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet e ndërmjetësimit i ka thënë Reuters se Hamasi, grupi militant që kontrollon Gazën, ka treguar fleksibilitet mbi disa klauzola, që do të lejonin arritjen e një marrëveshjeje kornizë nëse Izraeli e miraton.
Hamasi ka thënë vazhdimisht se çdo marrëveshje duhet t'i japë fund luftës gati nëntëmujore dhe të sjellë një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza. Ndërkaq Izraeli thotë se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi të zhduket.
Plani përfshin lirimin gradual të pengjeve izraelitë që ende mbahen në Gaza dhe tërheqjen e forcave izraelite gjatë dy fazave të para, si dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. Faza e tretë përfshin rindërtimin e territorit të shkatërruar nga lufta dhe kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekur.
Tanket bombarduan disa zona në anën lindore të Khan Younis të enjten pasi ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi të martën, por nuk ka pasur lëvizje nga tanket në ato zona, kanë thënë banorët.