Izraeli ka deklaruar të vdekur të hënën edhe dy pengje të tjerë që po mbaheshin në Gaza, ndërsa bisedimet për të siguruar një marrëveshje armëpushimi që do të përfshinte lirimin e rreth 120 personave që po mbahen peng atje pritet të rifillojnë më vonë këtë javë.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ishte ende duke hetuar vdekjen në robëri të dy pengjeve, Yagev Buchshtab, një teknik 35-vjeçar i zërit dhe Alex Dancyg, një historian 76-vjeçar, të cilët u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre afër kufirit me Gazën, gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, raporton Reuters.
Një ekip negociator izraelit do të nisej të enjten në bisedimet e ndërmjetësuara për armëpushim në Gaza, të cilat do të përfshinin çështjen e lirimit të pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë.
"Yagev dhe Alex u morën të gjallë dhe duhej të ishin kthyer të gjallë në familjet e tyre dhe në vendin e tyre”, ka thënë Forumi i Familjeve të Pengjeve në një deklaratë.
"Vdekja e tyre në robëri është një pasqyrim tragjik i pasojave të zvarritjes së këmbëve në negociata”, thuhet më tej në deklaratë.
Dancyg kishte gjithashtu shtetësi polake dhe ministria e jashtme e Polonisë ka thënë se ishte e pikëlluar për vdekjen e tij.
“Polonia do të vazhdojë të kërkojë lirimin pa kushte të të gjithë të rrëmbyerve nga Gaza”, ka deklaruar ministria.
Autoritetet izraelite deri më tani kanë shpallur të vdekur në mungesë rreth një të tretën e pengjeve që ende mbahen në Gaza.