Botë

Izraeli bombardon Bejrutin teksa qeveria e tij pritet ta votojë armëpushimin me Hezbollahun

Liban

Foto: Associated Press

Avionët luftarakë izraelitë goditën ndërtesat në periferi të Bejrutit dhe në një qytet jugor të Libanit të martën, teksa kabineti i sigurisë i Izraelit po përgatitet të votojë propozimin për armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili synon t'i japë fund më shumë se një viti luftime me Hezbollahun.

Shpresat janë rritur për marrëveshjen, e cila kërkon ndalesë fillestare dymuajshe të luftimeve dhe që Hezbollahu t'i japë fund pranisë së armatosur në një zonë të gjerë të Libanit jugor, si dhe që trupat izraelite të kthehen në anën e tyre të kufirit, raporton AP.

Kabineti i sigurisë i Izraelit, i mbledhur pasditen e së martës, pritet ta miratojë propozimin, për të cilin zyrtarët libanezë kanë thënë se e mbështet edhe Hezbollahu.

Ndër pengesat kryesore ka qenë kërkesa izraelite për të pasur të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu i shkel detyrimet e tij. 

Sipas propozimit, mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtëse të OKB-së do të vendosen në jug dhe një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do të monitorojë procesin.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se ushtria do të godasë Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk siguron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.