Botë

Izolimi për COVID-19 pas tërmetit nxit zemërim te kinezët

Pamjet që tregojnë se disa banorë në qytetin kinez të goditur nga tërmeti, Chengdu, u ndaluan të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të një bllokimi për shkak të COVID-19, kanë ngjallur zemërim dhe mosbesim.

Disa në Chengdu thonë se u është dashur të qëndrojnë brenda gjatë tërmetit me magnitudë 6.6, pasojë e të cilit kanë humbur jetën të paktën 65 njerëz.

Disa të tjerë thonë se i gjeten daljet e mbyllura për shkak të kufizimeve të vendosura nga shteti, shkruan BBC-ja të martën.

Chengdu është vend i banuar nga 21 milionë njerëz dhe ndodhet aktualisht nën kufizime të ashpra.

Kina ka të ashtuquajturën politikë zero Covid-19, që do të thotë se bllokimet vendosen në mënyrë rutinore në komunitete kur zbulohen raste të virusit.

Në disa raste, ndërtesat e banimit ku të paktën një person ka rezultuar pozitiv për COVID-19 janë përcaktuar si "zona të mbyllura” e ku banorëve u ndalohet ta vendosin këmbën jashtë shtëpive të tyre, pavarësisht nëse janë apo jo të infektuar.

Videot e shpërndara në Douyin, platforma TikTok e Kinës, tregojnë banorët duke bërë panik pas portave të lidhura me zinxhirë, duke bërtitur që të lirohen.

Në njërën, një burrë shan rojën e sigurisë, duke tronditur atë që duket të jetë portë e banesës së tij dhe duke u përpjekur ta hapë atë.

“Nxitoni, hapni derën, është një tërmet”, dëgjohet ai duke bërtitur, ndërsa rojet thonë: “Ka kaluar, tërmeti tashmë ka përfunduar”.