(AP) - Kur Izraeli e shpalli luftën kundër Hamasit tetorin e kaluar, ishte i bashkuar dhe gëzoi mbështetje të gjerë nga e gjithë bota pas një sulmi të paprecedentë nga grupi militant islamik.
Gjashtë muaj më vonë, Izraeli e gjen veten në një vend shumë më ndryshe: i zhytur në Gaza, i përçarë brenda vendit, i izoluar ndërkombëtarisht dhe gjithnjë e më shumë në kundërshtim me aleatin e tij më të ngushtë. Rreziku i një lufte më të gjerë rajonale mbetet real.
Pavarësisht nga sulmi i ashpër ushtarak i Izraelit, Hamasi është ende në këmbë, ndonëse i dobësuar ndjeshëm. Ofensiva ka shtyrë Gazën në një krizë humanitare, ka zhvendosur më shumë se 80 për qind të popullsisë dhe ka lënë mbi 1 milion persona në prag të urisë. Megjithatë, Izraeli nuk ka paraqitur një vizion të pasluftës të pranueshëm për partnerët e tij dhe bisedimet për armëpushim kanë ngecur.
Ja gjashtë të dhënat nga gjashtë muajt e parë të luftës Izrael – Hamas.
Mungesa e përparimit në fushëbetejë
Izraeli shpalli luftë në kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit në jug të territorit izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1200 persona, shumica prej tyre civilë dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vendosi dy objektiva: shkatërrimin e Hamasit dhe sjelljen e pengjeve në shtëpi. Pavarësisht premtimeve të tij të përsëritura për të arritur “fitoren e plotë”, qëllimet e tij mbetën të paarritshme.
Pasi pushtuan në mënyrë të qëndrueshme pjesën më të madhe të Gazës, trupat tokësore izraelite janë në një situatë pritjeje dhe paqartësie nëse do të marshojnë në qytetin jugor të Gazës, Rafah, bastioni i fundit i rëndësishëm i Hamasit.
Netanyahu vazhdimisht ka insistuar se do ta pushtojë Rafahn, por po has në një kundërshtim të gjerë ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në, pasi qindra e mijëra palestinezë të zhvendosur janë duke u strehuar në Rafah.
Netanyahu pretendon se ka plan për t’i evakuuar civilët, por është e paqartë nëse është i gatshëm plani apo nëse do t’i kënaqë amerikanët.
Edhe nëse Izraeli e pushton Rafahn, nuk ka garanci për sukses afatgjatë. Ndonëse Hamasi duket se po pëson humbje të rënda, forcat e tij kanë arritur të rigrupohen në zonat e braktisura nga Izraeli.
Në të njëjtën kohë, Izraeli nuk ka qenë në gjendje t’i ndalojë sulmet e përditshme nga grupi militant libanez Hezbollah me të cilat përballet në frontin e tij verior. Ndryshe nga Hamasi, arsenali shumë më i madh i Hezbollahut mbetet i paprekur, duke lënë në ajër fatin e dhjetëra e mijëra civilëve në të dyja anët e kufirit. Tensionet kanë kërcënuar të tërheqin Iranin, sponsorin e Hezbollahut, në këtë konflikt. Veçanërisht mundësia është rritur pasi pas një sulmi ajror, që pretendohet se u krye nga Izraeli, u vranë dy gjeneralë iranianë në Siri këtë javë.
Izolimi në rritje
Izraeli ka pasur një përkrahje të gjerë pas masakrës së 7 tetorit, që ishte sulmi më vdekjeprurës kundër hebrenjve që nga Holokausti. Mirëpo kjo përkrahje është zëvendësuar tash me padurim dhe zemërim ndërsa kushtet në Gaza janë përkeqësuar.
Mbi 33 mijë palestinezë kanë humbur jetën në luftë, dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë, sipas shifrave të autoriteteve shëndetësore palestineze. Në këto shifra nuk veçohen civilët nga luftëtarët. Zyrtarët ndërkombëtarë të agjencive humanitare thonë se rreth një e treta e popullsisë së Gazës përballet me uri katastrofike.
Solidariteti fillestar nga aleatët është zëvendësuar me thirrje për t’i ndaluar luftimet. Ndërkohë, Gjykata Botërore e Kombeve të Bashkuara, që ka shikuar pretendimet kundër Izraelit që janë bërë për gjenocid, ka urdhëruar Izraelin të bëjë më tepër për mbrojtjen e civilëve në Gaza.
Ky izolim duket se arriti kulmin më 25 mars, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përkundër kundërshtimeve izraelite, kaloi një rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm. SHBA-ja zemëroi Izraelin duke e lejuar rezolutën që të kalojë.
Gjërat vetëm janë përkeqësuar që nga atëherë, veçanërisht pas vrasjes së shtatë punonjësve humanitarë në atë që Izraeli thotë se ishte një sulm ajror i gabuar. Gjashtë viktima ishin vullnetare nga shtetet aleate të Izraelit, duke rritur zemërimin, përfshirë edhe atë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
Sulmi ajror i pretenduar izraelit ndaj Ambasadës së Iranit në Siri dhe po ashtu angazhimi i Netanyahut për t’ia ndaluar transmetimin kanalit satelitor arab “Al Jazeera” ka zemëruar më tepër aleatët.
Izraeli është i ndarë
Pas një periudhe të unitetit në fillim të luftës, Izraeli është kthyer te ndarja – ku lideri i saj është në qendër të kësaj stuhie.
Protestat disajavore kundër qeverisë janë rritur dhe në to po marrin pjesë mijëra njerëz. Ato janë të rrënjosura në ankesat e gjata kundër Netanyahut – nga aleancat e tij politike me partitë e ekstremit të djathtë deri te gjyqi i tij i hapur për korrupsion. Megjithatë, ata kanë marrë forcë të re nga dështimi i tij për të sjellë pengjet në shtëpi. Afërsisht gjysma e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor. Por Izraeli thotë se 134 persona ende mbeten në robëri në Gaza.
Izraeli ka thënë se mbi 30 pengje kanë vdekur – dhe ekziston një frikë se numri është dukshëm më i madh dhe do të vazhdojë të rritet sa më gjatë që ata mbahen peng.
Gjendja e pengjeve dhe thirrjet e familjarëve të tyre kanë rezonuar thellë në publikun izraelit.
Dhjetëra mijëra dolën në rrugë për të protestuar këtë javë, duke bërë thirrje për dorëheqje të qeverisë. Ishte protesta më e madhe antiqeveritare që nga fillimi i luftës.
Netanyahu s’po shkon askund
Popullariteti i Netanyahut ka rënë dukshëm që nga shpërthimi i luftës, ku shumë po e mbajnë përgjegjës atë për dështimet e inteligjencës dhe sigurisë që lejuan të ndodhte sulmi i 7 tetorit. Mirëpo ai nuk ka dhënë dorëheqje përkundër thirrjeve e as nuk ka nisur një hetim për dështimet.
Netanyahu nuk po përballet me një kërcënim të menjëhershëm. Për tash, partnerët e tij të koalicionit, të cilët po ashtu pritet të kenë rënie, po e përkrahin.
Por ironia qëndron se kërcënimi më i madh i menjëhershëm për Netanyahun nuk lidhet direkt me luftën. Gjykata e Lartë e Izraelit ka urdhëruar ndalimin e një sistemi të diskutueshëm të përjashtimit të burrave ultra-ortodoksë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Me mbi 600 ushtarë të vrarë që nga 7 tetorit, Netanyahu do ta ketë të vështirë ta vazhdojë këtë sistem. Por nëse synon t’i detyrojë burrat fetarë drejt shërbimit ushtarak, ai mund të humbë përkrahjen nga partnerët e tij ultra-ortodoksë dhe të detyrohet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Netanyahu nuk është në gjendje të ndiejë turpin apo edhe të marrë përgjegjësinë. Ai nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje”, ka shkruar Anshel Pfeffer, kolumnist në Haaretz dhe autor i biografisë së Netanyahut.
Hamasi s’po shkon askund
Ofensiva e Izraelit ka shkaktuar shkatërrime masive nëpër Gaza dhe i ka shkaktuar humbje të mëdha Hamasit.
Izraeli pretendon se i ka vrarë mbi 13 mijë ushtarë të Hamasit dhe ka çmontuar aftësitë e grupit ushtarak nëpër Gaza.
Por edhe nëse kjo është e vërtetë, Hamasi është ende aktiv në Rafah dhe luftëtarët po rigrupohen në zona ku Izraeli e ka shpallur fitoren. Ndonëse ka pasur shenja të vogla të pakënaqësisë publike me Hamasin në Gaza, nuk ka pasur shenja të një kundërshtimi të gjerë.
Khalil Sayegh, një analist palestinez, ka thënë se Hamasi vazhdon të riparaqitet dhe Izraeli nuk ka lënë asnjë alternativë për t’u lindur.
“Kur je duke bërë një luftë guerile, mendoj se suksesi përfundimtar apo dështimi është te ajo nëse je në gjendje të mbijetosh. Kështu që nëse Hamasi mbijeton si trupë qeverisëse, atëherë do të jetë sukses”, ka thënë Sayegh.
Michael Milshtein, ish-zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake të Izraelit që tash shërben si ekspert për studime palestineze në Universitetin e Tel-Avivit, ka thënë se Izraeli përballet me dy opsione: të pranojë marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushimit që do të thotë pranimin se Hamasi ka mbijetuar, apo ta rrisë ofensivën ushtarake dhe të pushtojë Gazën e të shpresojë se Hamasi do të shkatërrohet dikur.
Pa një politikë pas luftës
Nuk ka një konsensus për të ardhmen e Gazës.
Netanyahu ka paraqitur një vizion të paqartë që bën thirrje për kontroll të territorit nga Izraeli, me partnerët lokalë palestinezë që administrojnë punët e përditshme në Gaza. Izraeli shpreson që rindërtimi të financohet nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë nga shtetet e pasura arabe të Gjirit Persik.
Megjithatë, këto plane bien ndesh me vizionet e promovuara nga SHBA-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe ata palestinezë. SHBA-ja ka bërë thirrje për rikthim të Autoritetit Palestinez të njohur ndërkombëtarisht, të cilin Hamasi e largoi nga Gaza në vitin 2007 dhe për ripërtëritjen e përpjekjeve për të krijuar një shtet të pavarur palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza.
Autoriteti Palestinez, me seli në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, së fundi ka emëruar një kryeministër të ri për t’iu adresuar thirrjeve amerikane për reforma.
Netanyahu kundërshton shtetësinë e Palestinës apo ndonjë rol të Autoritetit Palestinez. Ndërkohë ka pak interesim nga shtetet donatore që të kontribuojnë në rindërtim pa pasur një konsensus politik. Emiratet e Bashkuara Arabe, si shembull, thonë se nuk do të financojnë rindërtimin pa pasur një qasje të qartë.
Ish-deputeti Ofer Shelah thotë se sukseset në fushëbetejë janë “thuajse pakuptim” nëse nuk ka vizion diplomatik.
“Rreziku kryesor për Hamasin nuk do të jenë tanket izraelite apo aeroplanët ushtarakë. Është një alternativë për të drejtuar jetën në Gazën e pasluftës”, ka thënë Shelah.