Një grua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila pa dijeni ka mbajtur dhe ka lindur një foshnje djalë që nuk ishte biologjikisht e saj, ka ngritur padi kundër klinikës që ka bërë gabimisht fertilizimin invitro (IFV), pasi ishte detyruar të japë kujdestarinë e foshnjës, ka raportuar “BBC”.
Krystena Murray, nga Georgia, mbeti shtatzëne pas trajtimit me IFV në klinikën “Coastal Fertility” në maj të 2023-tës.
Por u bë e qartë që embrioni të cilën po e mbante ajo në fakt i përkiste një çifti tjetër, pasi Murray lindi një foshnje që kishte etni të ndryshme nga ajo dhe donatori i spermës që ajo kishte zgjedhur.
Pavarësisht gabimit, ajo deshi të mbajë fëmijën dhe u kujdes për të për disa muaj derisa prindërit biologjikë fituan kujdestarinë.
“Të mbash një foshnje, të biesh në dashuri me të, të lindësh atë, dhe të ndërtosh një lidhje unike të veçantë në mes nënës dhe foshnjës, të gjitha këto dhe në fund të ta marrin atë, kurrë nuk do të rikuperohem plotësisht nga kjo”, ka deklaruar ajo.
Murray, grua e bardhë, lindi një foshnje afro-amerikane një dhjetor të 2023-tës. Ajo kurrë nuk ka postuar foto të fëmijës në internet dhe nuk ka lejuar shokët dhe familjen e saj të shohin atë.
Sipas padisë së ngritur kundër klinikës, ajo bleu një pajisje të ADN-së që bën testimin në shtëpi, dhe rezultatet në janar të 2024-tës konfirmuan se ata nuk ishin të lidhur biologjikisht.
Ajo e informoi klinikën për ngatërrimin në muajin e ardhshëm. Kjo alarmoi prindërit biologjik, që paditën për të marrë kujdestarinë kur foshnja ishte tre muajshe.
Murray u dha kujdestarinë vullnetarisht pasi ekipi ligjor i saj i kishin thënë se nuk ka shanse të fitojë gjyqin. Foshnja tani jeton me prindërit biologjikë në një shtet tjetër me një emër tjetër.
Sipas padisë, Murray akoma deri sot nuk e di nëse klinika gabimisht ka transferuar embrionin e saj te një çift tjetër, ose çfarë ka mundur të ndodhë më pas.
Klinika, “Coastal Fertility”, ka pranuar gabimin dhe ka kërkuar falje për shqetësimet e shkaktuara.
“Kjo ishte një ngjarje e izoluar me të vetmit pacientë të ndikuar, ditën e njëjtë kur gabimi ishte zbuluar, menjëherë ne filluam një rishikim të thellë dhe vendosëm procedura shtesë të sigurisë për të mbrojtur pacientët dhe për të siguruar se incidente të tilla të mos përsëriten”, ka njoftuar klinika.
Viteve të fundit janë ngritur shumë padi kundër klinikave fertilizuese në SHBA, mbi gabimet me IFV.
IFV-ja është një procedurë gjatë së cilës vezoret e gruas fertilizohen me spermatozoidet e burrit në një laborator para se embrioni të vendoset në mitrën e gruas.