Ish-sekretari i Thesarit amerikan, Steven Mnuchin, ka thënë se do ta ngrehë një grup investitorësh për ta blerë TikTokun, një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin që mund t’i hap rrugë ndalimit të aplikacionit në SHBA.
TikToku, që ka më shumë se 170 milionë përdorues amerikanë, është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, raportoi AP.
Mnunchin ka shtuar se beson se TikToku duhet të shitet.
“Ai duhet të jetë në pronësi të bizneseve të SHBA-së. Nuk ka asnjë shans që kinezët do të lejonin një kompani amerikane të kishte diçka të tillë në Kinë”, ka thënë Mnuchin.
Ai nuk ka treguar se kush mund të jenë investitorët.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë mund ta përballojnë blerjen e TikTokut, por ka të ngjarë të përballen me mbikëqyrje intensive nga rregullatorët si në SHBA ashtu edhe në Kinë.