Grupi rebel në Kamerun besonte se shkatërrimi i shkollave do të dobësonte kontrollin e qeverisë mbi rajonin, një strategji që la ndikim të thellë në peizazhin arsimor. Grupet e armatosura zbatuan bojkot, dogjën klasa dhe vranë mësues që kundërshtuan urdhrat e tyre. Pika e kthesës për ish-rebelin, Tajoah, erdhi me humbjen e fëmijës së tij 11-vjeçar gjatë një sulmi nga forcat qeveritare në kampin e tij. Veçse i zhgënjyer nga udhëheqja separatiste dhe i pushtuar nga pikëllimi, ai u dorëzua në fillim të vitit 2019. Sot ai është mësues
Në një shkollë në malësitë e Kamerunit, një ish-luftëtar rebel ligjëron lëndën e logjikës dhe filozofisë. Nxënësit e njohin atë si të qetë dhe të zhytur në mendime, por e kaluara e tij bart një histori më të trazuar.
Për një vit e gjysmë, Ateasong Belts Tajoah, ishte pjesë e “Red Dragons”, milici separatiste në jugperëndim të vendit, të përfshirë nga konflikti. Ai iu bashkua lëvizjes në vitin 2017 në moshën 23-vjeçare, pasi luftëtarët vendas erdhën në fshatin e tij dhe i ofruan atij një shans për t’i kthyer në veprim zhgënjimet që kishte ndaj qeverisë.
Ashtu si shumë të tjerë në pjesët anglisht-folëse të Kamerunit, ai u ndje i margjinalizuar nga qeveria e dominuar nga popullsia frëngjisht-folëse. Këto tensione, që filluan me protestat paqësore të organizuara nga avokatët dhe mësuesit, u kthyen në vdekjeprurëse pothuajse një dekadë më parë e të cilat rezultuan më pas me një goditje nga qeveria.
Lufta për pavarësi në zonat anglisht-folëse, të cilën grupet rebele në zhvillim e quajtën Ambazonia, ka lënë të vdekur mbi 6.500 njerëz dhe ka zhvendosur mbi 1.1 milion të tjerë.

“Nuk mund të flije kurrë me të dy sytë mbyllur”
Si rebel, Tajoah jetonte nën çarçafë najloni në shi, gatuante për udhëheqësit dhe kryente sulme ndaj objektivave ushtarake dhe civile. “Nuk mund të flije kurrë me të dy sytë mbyllur”, tha ai, duke treguar shenjat e plagëve në qafë dhe stomak që i kishin mbetur nga plumbat.
Konsumimi i drogës dhe alkoolit në kamp kishte dalë nga kontrolli, e shpesh ato përdoreshin si mekanizma për të përballuar kërcënimet e vazhdueshme të pritës ose tradhtisë. “Presioni psikologjik ishte i jashtëzakonshëm”, tha Tajoah, duke kujtuar traumën e bartjes së trupave të më shumë se 20 shokëve të vdekur.
Grupi rebel besonte se shkatërrimi i shkollave do ta dobësonte kontrollin e qeverisë mbi rajonin, një strategji që la ndikim të thellë në peizazhin arsimor.
Grupet e armatosura zbatuan bojkot, dogjën klasa dhe vranë mësues që kundërshtuan urdhrat e tyre. Sipas UNICEF-it pothuajse 488 mijë fëmijë në rajonet e prekura nuk ndiqnin mësimin në vitin 2024.
Tajoah pranoi se kishte luajtur një rol në këtë plan, duke mos ndarë detaje, por pranoi dëmin e thellë që kjo strategji shkaktoi për shumë jetë të njerëzve.
Vdekja e fëmijës së tij 11-vjeçar si pikë e kthesës
Pika e kthesës për të erdhi me humbjen e fëmijës së tij 11-vjeçar gjatë një sulmi nga forcat qeveritare në kampin e tij. Veçse i zhgënjyer nga udhëheqja separatiste dhe i pushtuar nga pikëllimi, ai u dorëzua në fillim të vitit 2019.
Ai u bë pjesë e një qendre rehabilitimi të drejtuar nga qeveria për ish-luftëtarët në Buea, kryeqyteti i rajonit jugperëndimor të Kamerunit, ku kaloi 18 muaj duke reflektuar mbi të kaluarën e tij. Ashtu si shumë ish-luftëtarë, Tajoah është përballur me një proces të gjatë, i vetmuar, me stigmë të përhapur që shënon rrugën e tij drejt riintegrimit në shoqëri.
Ndërkohë që qendra e rehabilitimit premtoi trajnime për ish-rebelët, programi i çmobilizimit të vendit është përballur me kritika të gjera për zbatim të ngadaltë dhe mungesë të burimeve.
Tajoah ishte dëshmitar i përhapjes së konsumimit të drogës, që thuhet se sillej në treg nga të njëjtët zyrtarë të ngarkuar me rehabilitimin e ish-luftëtarëve. Kishte shqetësime se disa luftëtarë u detyruan të bëhen pjesë e operacioneve ushtarake pasi u dorëzuan. Qeveria nuk iu përgjigj kërkesave për koment lidhur me këtë..
Shumë ish-luftëtarë janë bërë sërish pjesë e grupeve të armatosura, duke përmendur këtu edhe zhgënjimin me programin e rehabilitimit. Në vitin 2021, ish-luftëtarët bllokuan rrugët në Buea për të protestuar, duke akuzuar qeverinë se nuk e përmbushi premtimin e saj për mbështetje.
Mungesa e mbikëqyrjes dhe transparencës i përkeqëson çështjet, sipas Syndie Rhianne Makeutche, studiuese e paqes në Kombet e Bashkuara. “Pa këto masa, programi rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe të shtyjë më shumë ish-luftëtarë përsëri drejt dhunës”, thekson ajo.

Rruga e re e Tajoah
Pavarësisht sfidave, Tajoah ndoqi një rrugë të re. Ai arriti të merrte diplomën në studimet master për filozofi në muajin korrik.
“Mësimdhënia është më shumë se një punë”, thotë ai. “Është një mënyrë për t’u përballur me të kaluarën time dhe për t’i frymëzuar të tjerët që të shmangin gabimet e mia”.
Prania e tij në klasë fillimisht ngjalli frikë. “Shumë supozuan se ish-luftëtarët ishin të paarsimuar dhe të rrezikshëm”, tha ai.
Me përkushtim dhe duke qenë transparent për të kaluarën e tij, Tajoah fitoi gradualisht besimin e nxënësve të tij, prindërve të tyre dhe komunitetit më të gjerë.
Vendimi i tij për të ligjëruar logjikën dhe filozofinë buronte nga një interes i gjatë për të menduarit kritik dhe sjelljen njerëzore.
“Unë i kam dashur këto lëndë përpara se të bëhesha luftëtar”, tha ai. Sot, ai i përdor ato për të sfiduar nxënësit që të mendojnë ndryshe dhe për t’i udhëhequr ata drejt një rruge më konstruktive.
Përtej klasës, Tajoah është bërë një avokues i hapur për paqen. Ai përdor një strategji përmes rrjeteve sociale për t’i edukuar njerëzit mbi rreziqet e rebelimit, duke ndarë imazhe të luftëtarëve të rënë për të nxjerrë në pah realitetin e konfliktit të armatosur.
Ai rrezikon edhe jetën e tij duke udhëtuar nëpër fshatra, duke u bërë thirrje të rinjve që t’i lënë armët. Disa banorë thanë se kontakti i tij ka qenë i dobishëm në nxitjen e paqes, duke rezultuar në dorëzimin e disa luftëtarëve.
Disa janë skeptikë për punën e Tajoahas, por të tjerë e shohin atë si një fanar ndryshimi. “Më shumë njerëz po e kuptojnë se ai është këtu për të sjellë paqe dhe për t’i inkurajuar të tjerët t’i lënë armët”, tha Ajiawung Columbus Fortulah, kryetari i fshatit Atulah, ku Tajoah u rrit.
“Disa luftëtarë kanë lënë armët dhe shkolla fillore lokale është rihapur”, tha Fortulah.
Megjithatë, aktivizmi i Tajoahas ka ardhur me kosto personale. Nëna e tij është rrëmbyer dy herë nga separatistët dhe ai ka marrë kërcënime të shumta me vdekje nga separatistët që kërkonin t’i jepnin fund përpjekjeve të tij për paqe.
Një tjetër ish-luftëtar, Okha Naseri Clovis, ndan vendosmërinë e njëjtë me Tajoahan. Tani, ai studion logjistikën në kryeqytetin e Kamerunit, Yaoundé. Clovis ka qenë transparent për përvojat e tij, duke kritikuar shpesh liderët separatistë. Ai u drejtohet ish-luftëtarëve në qendrat e rehabilitimit, duke i nxitur ata që të përqafojnë riintegrimin dhe paqen dhe udhëton në fshatra të largëta për të kundërshtuar narrativën e separatistëve.
Zyrtarët kamerunas kanë mirëpritur përpjekjet e komunitetit që mbështesin programin e rehabilitimit, por janë akuzuar nga kritikët për mosadresimin e shkaqeve rrënjësore të krizës.
Ndërkaq, konflikti nuk ka shenja zgjidhjeje. Bisedimet e paqes me ndërmjetësit ndërkombëtarë kanë ngecur, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për mosbesim.
“Ka një ndryshim midis krizës anglofone dhe terrorizmit ambazonian”, tha Tajoah. “Anglofonët janë të margjinalizuar, por armët dhe rrëmbimet nuk do ta zgjidhin atë. Dialogu dhe veprimi janë e vetmja rrugë përpara”.
Ai shpreson se nxënësit e tij do ta marrin parasysh atë mesazh.
“Kam luftuar për të mbyllur shkollat, por tani u mësoj të tjerëve që të hapin mendjen”, tha ai. “Plagët do të jenë gjithmonë aty, por ato nuk duhet të të përcaktojnë”.