Botë

Ish-politikania serbe: Serbia faktore shqetësuese në Ballkan

Vesna Peshiq

Ish-politikania serbe Vesna Peshiq thotë se Serbia është faktorja kryesore shqetësuese në Ballkan dhe se kjo shihet në faktin se ajo nuk i pranon kufijtë e saj.

“Të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë kanë pranuar kufijtë e tyre, përveç Serbisë”, tha Peshiq në Forumin e 14-të për Drejtësinë Tranzicionale të mbajtur në Beograd, raporton Danas.

Ajo ka thënë se Serbia nuk është e gatshme për asnjë pajtim.

Ajo ka thënë se Serbia po i jep përkrahje proceseve të tentimit për shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës, të cilat procese po i udhëheq Milorad Dodik.

“Nuk mendoj se Serbia aktualisht po përgatitet për luftë, por po përpiqet në mënyrë paqësore të arrijë qëllimet e saj. Ajo dëshiron të përvetësojë një pjesë të Bosnjë-Hercegovinës së Dejtonit”, tha Peshiq.

Sipas Peshiqit në Serbi është në punë “autokracia personale”, ku presidenti Aleksandar Vuçiq ka marrë gjitha institucionet dhe i ka shpallur armiq opozitën e brendshme.

“Situata në Serbi është aq katastrofale dhe me atë lloj qeverisjeje që kemi nuk mund të zgjidhim asnjë problem, madje as atë të Kosovës”, tha Peshiq.