Ish-zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse të enjten është dënuar me 7 vjet burgim në një koloni penale pasi ka marrë qindra mijëra dollarë ryshfet, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vadim Shamarin, një gjeneral-leitnant, është një nga zyrtarët e larët të dënuar në një seri të skandaleve të korrupsionit që kanë kapluar pjesën më të lartë të ushtrisë ruse gjatë vjetëve të fundit.
Ndjekjet penale shënojnë një shtysë nga presidenti rus, Vladimir Putin për të ulur korrupsionin, paefektshmërinë dhe keqpërdorimin në buxhetin e madh të ushtrisë ruse derisa po financon luftën në Ukrainë edhe për të katërtin vit.
Komiteti hetues i Rusisë ka njoftuar se Shamarin, 53-vjeçar, ka marrë ryshfet në vlerë 440,000 dollarë në mes të viteve 2019 dhe 2023 nga një fabrikë në malet Urale që prodhon pajisje komunikimi. Në këmbim, ai ka rritur numrin e kontratave që i janë dhënë firmës. I dyshuari e ka pranuar fajin.
Që nga viti 2020, Shamarin ka qenë në detyrë të mbikëqyrjes të “Signal Corps” të ushtrisë, e cila është përgjegjëse për komunikimet ushtarake, duke përfshirë sigurimin e sinjaleve të fshehta të komandës në fushëbetejë.
Skandali, më i madhi që e ka goditur ushtrinë ruse ndër vite – përfshinë çështje kriminale kundër ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes Timur Ivanon, dhe zyrtarëve të tjerë Pavel Popov dhe Dmitry Bulgakov. Të gjithë kanë shërbyer nën Sergei Shoigu, i cili ishte ministër i Mbrojtjes derisa është zhvendosur vitin e kaluar dhe ka marrë rolin e ri si sekretar i Këshillit të Sigurisë në Rusi.
Në çështjen e fundit, ish-guvernatori i rajonit perëndimor të Kurskut, Alexei Smirnov, është arrestuar të mërkurën dhe është akuzuar për përvetësim e parave të destinuara për ndërtimin e mbrojtjes përgjatë kufirit me Ukrainën.
Smirnov ishte kryesori i rajonit kur trupat ukrainase sulmuan gjatë kufirit në një operacion të madh gjatë gushtit të vitit të kaluar. Ukraina ka pushtuar pjesë të mëdha të Kurskut dhe e ka mbajtur për disa muaj, por që atëherë një ofensivë e madhe ruse i ka larguar shumicën e trupave ukrainase.