Botë

Ish-kryeministri i Britanisë bie viktimë e “sozisë” së Poroshenkos

David Cameron & Petro Poroshenko

Sekretari i Jashtëm britanik dhe ish-kryeministri, David Cameron, ra viktimë e një video-telefonate mashtrimi me dikë që pretendonte të ishte ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka thënë Ministria e Jashtme në një deklaratë të shtunën.

Cameron e hapi thirrjen pasi shkëmbeu mesazhe me tekst me njeriun që pretendonte se ishte Poroshenko, i cili shërbeu si president i Ukrainës nga viti 2014 deri në vitin 2019.

Gjatë bisedës, politikani konservator pati dyshime dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të bashkëbiseduesit.

“Ndërsa video-telefonata dukej qartë se ishte me Poroshenkon, gjatë bisedës sekretarit të Jashtëm i lindën dyshime. U kërkuan detaje kontakti për të tjerët dhe, duke pasur parasysh shqetësimet e tij, sekretari i Jashtëm nuk iu përgjigj më”, thuhet në deklaratë.

Qeveria britanike ka thënë se e bëri publike pasi kishte frikë se video-telefonata mund të përdorej në të ardhmen dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë rrezik.

Cameron është politikani i fundit evropian që ka rënë viktimë e këtij lloji të dezinformatave lidhur me luftën në Ukrainë. Qeveria britanike ka thënë në vitin 2022 se qeveria ruse ishte pas thirrjeve mashtruese ndaj ish-sekretarit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace.

Vjeshtën e kaluar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ra viktimë e një kurthi nga humoristët rusë, të cilët pretendonin se ishin me Bashkimin Afrikan.