Qysh se Emmanuel Macroni është zgjedhur president i Francës më 2017, sondazhet kanë parashikuar se në votimet e ardhshme ai do të përballet sërish me lideren e së djathtës ekstreme, Marine le Pen, në garën për balotazh. Por ngritja e një figure të re e ka lënë garën përnjëherë krejtësisht të hapur dhe atë ende pa nisjen zyrtare të fushatës
Eric Zemmour po e trand garën presidenciale të Francës, dhe atë qysh para se ajo të fillojë.
Prejse Emmanuel Macroni është zgjedhur president i Francës më 2017, sondazhet kanë parashikuar se në votimet e ardhshme ai do të përballet sërish me lideren e së djathtës ekstreme, Marine le Pen, në garën për balotazh. Por ngritja e Zemmourit, si një figurë e re politike, e ka lënë garën përnjëherë krejtësisht të hapur.
Teksa zgjedhjet e prillit janë ende gjashtë muaj larg, polemisti antiemigrantë dhe ish-gazetari me qëndrime të ekstremit të djathtë ka përsëritur trikun e përdorur nga Macroni më 2017, duke u shfaqur prej gjëkundi dhe e synuar pallatin Elysee.
Sipas një analize të BBC-së, ai brenda më pak se një muaji është shfaqur si kandidati me potencialin më të madh në zgjedhje, pos vetë Macronit. Këtë së paku e demonstrojnë sondazhet.
Mst: Të ngjashëm, por të ndryshëm
Macroni e Zemmouri janë shumë të ndryshëm. Ndonëse Macroni herën e fundit bëri fushatë si një revolucionar që “nuk ishte as i majtë e as i djathtë” dhe që donte ta formësonte politikën në Francë, ai është një figurë e establishmentit.
Nga ana tjetër, Zemmouri i ngjason një pjesëtari tipik të elitës intelektuale franceze – është shkrimtar e komentues 63-vjeçar që ka shkruar me dhjetëra libra mbi historinë, politikën dhe shoqërinë. Por kritikët e shohin si një provokues të rrezikshëm të stilit të Donald Trumpit – kjo ngase është yll televiziv që garon me kartën kundër myslimanëve, emigrantëve, feminizmit, krimeve dhe rënies së supozuar të Francës.
Dhe, sipas BBC-së, tubimi i tij elektoral në qytetin e vogël jugor, Béziers, ka shpërfaqur një skenë goxha të pavolitshme, madje edhe për lideren e së djathtës ekstreme të vendit, Marine le Pen.
Për më tepër, sondazhet kanë sugjeruar se ai tani është vënë në shtegun për ta sfiduar udhëheqjen e saj në krahun ekstrem nacionalist të fuqisë së dytë më të madhe të Bashkimit Evropian.
Duke qenë fëmijë i prindërve emigrantë hebraikë nga Algjeria, Zemmouri kaherë ka tërhequr vëmendjen me qëndrimet e tija kundërthënëse – duke pretenduar, për shembull, se hebrenjtë e Francës ishin mbrojtur nga shteti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ç’është e vërteta, regjimi i kohës së luftës në Francë dërgoi me mijëra hebrenj të Francës, njashtu si dhe refugjatë hebraikë, në kampet naziste të vdekjes.
“Tani, pretendon ai, Franca është duke u përmbytur nga emigrantët dhe prindërit duhet të ndihen të shtyrë që t’u vënë fëmijëve të tyre emra francezë”, citon BBC-ja pretendimet e Zemmourit.
Ky fjalim i tij në Béziers vë në shënjestër sistemin arsimor të Francës – “të infiltruar nga marksizmi, antiracizmi dhe ideologjitë LGBT” – sipas qëndrimeve të tija.
Për sa u përket mediave franceze, ai i kritikon si “një makineri propagandistike që e urren Francën”.
“Të paguar me taksat tuaja, ata vazhdimisht pështyjnë mbi ju”, ka thënë ai në një rast. “Pështyjnë mbi historinë dhe kulturën franceze, dhe pështyjnë mbi popullin francez, të cilin duan që ta shohin të zhdukur”.
“Si Boris Johnsoni”
Nëse kjo gjuhë ishte e dhunshme, nuk ishte e papritur. Shumëkush në audiencën aty, sipas BBC-së, e njihte atë nga roli i tij prej prezantuesit të shquar televiziv dhe komentuesit për kanalin djathtist francez “C-News”.
I ulur në rreshtin e parë të audiencës ishte një i krishterë, i cili ishte sjellë me veturë nga një qytet i afërt, bashkë me familjen. Duke folur për BBC-në, ai ka thënë se kurrë më herët nuk kishte marrë pjesë në një tubim politik, ndërsa ka theksuar se nuk i përket asnjë subjekti politik.
Porse si atij ashtu edhe bashkëfamiljarëve, Eric Zemmouri u pëlqente fort.
“I thotë gjërat ashtu qysh janë”, ka shpjeguar i krishteri, në deklarimin për BBC-në. “Ai është më përtokë (sesa politikanët e tjerë). Është gjë e mirë që po i trand zgjedhjet presidenciale të Francës. Mendoj se është pak a shumë sikurse Boris Johnsoni”.
Pas tubimit, gazetarja e BBC-së, Lucy Williamson, e pyet Zemmourin sesi do të mbërthente më ndryshe marrëdhëniet e Francës me Mbretërinë e Bashkuar po qe se bëhet president.
“I respektoj britanikët”, i thotë ai gazetares. “Janë populli i madh që e meriton respektin. Mendoj se Komisioni Evropian në Bruksel nuk i respekton ata. Kurrë nuk ua falën për Brexitin”.
Béziersi ndryshe ka qenë një terren i veprimit për Marine le Penin. Ajo kishte shënuar rezultate bukur të mira në këtë qytet gjatë garës së shkuar presidenciale, por teksa Zemmouri është ngritur në sondazhe, ajo është zhytur.
BBC-ja ka raportuar se një raport i kohëmëparshëm madje e shfaq Zemmourin përpara Le Penit, duke e nxjerrë si kandidatin që do ta sfidojë Macronin në balotazh.
“Pas vjetësh të tërë të ‘detoksifikimit’ të partisë së saj, me qëllim që të përfitojë një gamë më të gjerë votuesish, Le Peni tani po përballet me një sfidë nga vetë e djathta”, ka analizuar gazetarja e BBC-së, Williamson. Por nuk ishin vetëm mbështetësit tradicionalë të Le Penit që ishin të pranishëm në tubimin e Béziersit.
Duke folur për agjencinë britanike, qytetari i identifikuar vetëm si Gerard thotë se kurrë nuk do të votonte për Marine le Penin.
“Isha shumë i interesuar për Macronin”, thotë ai. “Por ai nuk po bën sa duhet për sigurinë. Zemmouri më tërheq më tepër tani – kjo gjë më duket paksa bizare!”.

Kundër Macronit
Presidenti Macron e ka humbur mbështetjen në të majtën gjatë pesë vjetëve të fundit, meqë është përballur me shqetësimet në rritje rreth sigurisë dhe emigracionit, teksa është munduar fort që ta përfitojë të djathtën e qendrës.
Kryebashkiaku i Béziersit, Robert Ménard, është politikisht i afërt me Marine le Penin dhe është mik si me të ashtu edhe me Zemmourin.
Në bisedën për BBC-në, Ménard thotë se i ka shtyrë ata që t’i bashkonin forcat për ta rrëzuar Emmanuel Macronin.
“Ia shpjegova Ericut: ‘Nuk mund të fitosh pa Marine le Penin – është e pamundur’. Dhe i thashë Marines: ‘Nuk mund të fitosh pa Ericun’”, ka treguar ai. “Ndasitë nuk duhet ta shpijnë kampin tonë drejt disfatës. Një herë e mirë, ne mund të fitojmë”.
BBC-ja ka analizuar ndërkaq se pa marrë parasysh të gjithë vëmendjen e gjeneruar nga ngritja e shpejtë e Zemmourit, asnjë sondazh ende nuk ka sugjeruar se ai apo Le Peni mund ta mposhtin presidentin francez në balotazhin për të parin e shtetit.
Marine le Pen ka shënuar rezultate zhgënjyese në zgjedhjet rajonale të fillimvitit.
Megjithëkëtë, skena politike e Francës është kthyer kah e djathta gjatë viteve të fundit. Dhe politikanët, nisur prej Macronit e deri te Le Peni, janë të interesuar për ta rrëmbyer hisenë më të madhe të pites.
Partia kryesore djathtiste e Francës, Les Républicains, ende duhet të vendosë rreth një kandidati, një shenjë kjo që tregon se sa e ndarë është bërë e djathta.
Zgjedhjet e fundit presidenciale kanë rishkruar hartën politike, duke i përfshirë dy parti të qendrës në balotazh.
Një rezultat i tillë, sipas analizës së BBC-së, ka shkatërruar socialistët; shumëkush në
Les Républicains druan se, po qe se nuk tregohen të kujdesshëm, kësaj radhe në vend të tyre mund të jenë ata.
Në ndërkohë, është Zemmouri – e jo Macroni apo Le Peni – ai që e ka dominuar mbulueshmërinë.
Është ende herët dhe fushata zyrtare ka edhe disa muaj kohë për të nisur, porse gara për të ardhmen e Francës veçse ka filluar.