Botë

Ish-bashkëshorti i Gisele Pelicot s’do ta apelojë dënimin e tij me burgim të përjetshëm

Gisele Pelicot

Gisele Pelicot dhe ish-bashkëshorti, Dominique Pelicot, gjatë procesit gjyqësor

Foto: Associated Press

Ish-bashkëshorti i Gisele Pelicot nuk do të apelojë dënimin e tij me 20 vjet burgim për drogimin dhe përdhunimin e saj, dhe lejimin e dhjetëra burrave të tjerë që ta përdhunojnë atë ndërsa ajo ishte pa ndjenja, ka bërë të ditur avokatja e tij të hënën.

Dominique Pelicot dëshiron të kursejë ish-gruan e tij nga një proces tjetër gjyqësor, ka thënë avokatja Beatrice Zavarro, në një intervistë me transmetuesin France Info, raporton AP.

Ajo ka thënë se 17 nga 50 burrat e tjerë të shpallur gjithashtu fajtorë këtë muaj, pas një gjyqi më shumë se tre mujor që e ktheu 72-vjeçaren Gisele Pelicot në një ikonë kundër dhunës seksuale, kanë vendosur të apelojnë dënimet e tyre.

Gjykata në qytetin jugor francez të Avignon ka dhënë javën e kaluar dënime që varionin nga tre deri në 15 vjet burgim për 50 burrat të cilët u shpallën fajtorë për përdhunim, tentativë përdhunimi dhe sulme seksuale ndaj Gisele Pelicot, gjatë gati një dekade abuzimi tronditës të orkestruar nga bashkëshorti i saj atë kohë.

Gjykata e shpalli fajtor Dominique Pelicot për përdhunim dhe të gjitha akuzat e tjera kundër tij dhe e dënoi me 20 vjet burgim, që ishte maksimumi i mundshëm. 

Duke qenë në moshën 72-vjeçare, ai do ta kalojë pjesën tjetër të jetës së tij pas hekurave. Ai nuk do të ketë të drejtë të kërkojë lirim të parakohshëm derisa të ketë vuajtur të paktën dy të tretat e dënimit.

LEXO EDHE: