Votuesit në Irlandë dhe Republikën Çeke kanë dalë në qendrat e votimit të premten në ditën e dytë të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ku pritet një rritje e ekstremit të djathtë në bllok të dalë nga kjo maratonë zgjedhore.
Rezultatet përfundimtare nuk do të publikohen deri të dielën mbrëma, pasi çdo shtet të ketë votuar. Megjithatë, një exit-poll të enjten pas fillimit të zgjedhjeve në Holandë konfirmoi se Partia e Lirisë (PVV) e ekstremit të djathtë do të ketë ngritje.
Që nga zgjedhjet e fundit të BE-së në vitin 2019, partitë populiste, të ekstremit të djathtë dhe ato ekstremiste kanë marrë përsipër qeveritë në tre vende të BE-së, janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në disa të tjera dhe duket se kanë mbështetje në rritje të publikut në të gjithë kontinentin. Partitë e ekstremit të djathtë në Francë, Belgjikë, Austri dhe Itali janë kryesueset në zgjedhjet e BE-së.
Në Republikën Çeke, lëvizja opozitare ANO, e udhëhequr nga ish-kryeministri populist, Andrej Babis, është më e favorizuar.
E kryeministri i vendit, Petr Fiala, tha të premten në X se aleanca e partive të qendrës së djathtë do të “forcojë sigurinë e Evropës kundër kërcënimeve nga Rusia dhe Kina”.
Në fillim të këtij viti, liderët e Belgjikës dhe Republikës Çeke paralajmëruan partnerët e tyre të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin veprime urgjente për të parandaluar ndërhyrjen ruse në zgjedhje pasi shërbimet e inteligjencës të dy vendeve zbuluan prova të përpjekjeve për të korruptuar ligjvënësit e BE-së, raporton AP.
Migrimi është ngritur si çështje në agjendën politike të Irlandës, me kandidatë të pavarur që bëjnë thirrje për kontrolle më të forta e që pritet të fitojnë shumë vota.
Çështja e migrimit po zbeh mbështetjen për Sinn Feinin të qendrës së majtë, partia e lidhur dikur me Ushtrinë Republikane Irlandeze, e cila kishte qenë në rrugën e duhur për t’u bërë partia më popullore e Irlandës.
Pothuajse 400 milionë votues do të zgjedhin 720 anëtarë të Parlamentit Evropian për mandate pesëvjeçare.
Ligjvënësit e BE-së mund të votojnë për një gamë të gjerë ligjesh që mbulojnë çështjet me klimën, bujqësinë, peshkimin, sigurinë, drejtësinë, etj. Ata votojnë gjithashtu për buxhetin e BE-së, i cili është vendimtar për zbatimin e politikave evropiane, duke përfshirë ndihmën e dërguar Ukrainës.
Numri i ligjvënësve të zgjedhur në çdo vend varet nga numri i popullsisë. Ai varion nga gjashtë për Maltën, Luksemburgun dhe Qipron në 96 për Gjermaninë. Votuesit në Republikën Çeke do të zgjedhin 21 anëtarë të Parlamentit Evropian, ndërsa 14 vende janë në dispozicion për Irlandën.