Massoud Pezeshkian fitoi rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Iranit, duke mposhtur liderin e vijës së ashpër Saeed Jalili ndërsa premtoi se do të afrohet me Perëndimin dhe do të lehtësonte zbatimin e ligjit të detyrueshëm për shaminë.
Sipas numërimit të votave të bërë publike mëngjesin e së shtunës, Pezeshkian fitoi vendin e parë me 16.3 milionë vota, ndërsa kundërshtari kishte rreth tre milionë më pak.
Mbështetësit e Pezeshkianit, me profesion kirurg dhe ligjvënës për një kohë të gjatë, dolën në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera para agimit për të festuar fitoren mbi Jalilin - një kandidat i lidhur me liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, shkruan The Guardian.
Në rundin e parë të votimit më 28 qershor, u regjistrua pjesëmarrja më e ulët në historinë e Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979. Zyrtarët iranianë e kanë vënë në dukje prej kohësh pjesëmarrjen si shenjë mbështetjeje për teokracinë shiite të vendit, e cila është nën presion pas viteve të sanksioneve që kanë gjymtuar ekonominë iraniane, protesta masive dhe goditje intensive ndaj disidentëve.
Më shumë se 61 milionë iranianë mbi 18 vjeç kishin të drejtë vote. Votimi duhej të përfundonte në orën 18:00, por u shty deri në mesnatë për të rritur pjesëmarrjen.
Ish-presidenti Ebrahim Raisi, i cili vdiq në një aksident me helikopter në maj, u konsiderua si mbrojtësi dhe pasardhësi i mundshëm i Khameneit si udhëheqës suprem. Ndërsa Khamenei mbetet vendimmarrësi përfundimtar për çështjet shtetërore, presidenti i ri mund ta drejtojë politikën e jashtme të vendit drejt konfrontimit ose bashkëpunimit me Perëndimin.