Irani ka sulmuar Izraelin më 1 tetor me rreth 200 raketa, si përgjigje për vrasjen e liderëve të Hezbollahut, Hamasit dhe gjeneralit të Gardës Revolucionare, javëve të fundit. Nuk janë raportuar pasoja në njerëz si pasojë e sulmeve, teksa Irani ka paralajmëruar për “një valë të dytë” më shkatërruese.
Ushtria izraelite ka thënë se janë hedhur afërsisht 180 raketa nga Irani në drejtim të tokës izraelite. E SHBA-ja ka njoftuar për afro 200 raketa balistike të lansuara.
Nuk ka pasur raportim për viktima pasi Izraeli urdhëroi banorët të shkonin në strehimoret e bombave dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë vendin. Garda Revolucionare Islamike ka pretenduar se 90 për qind e raketave kanë goditur në cak. Një seri shpërthimesh u dëgjuan në Tel Aviv dhe afër Jerusalemit.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se do të ketë pasoja të rënda ndaj Iranit, i cili mbështet grupin militant Hezbollah në Liban dhe Hamasin në Gaza.

Irani po sulmon Izraelin pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe komandantit përgjegjës për transferimin e armëve nga Irani në grupin militant, Muhammad Jaafar Qasir, në një sulm ajror në Bejrut të premten.
Irani edhe në prill të këtij viti nisi sulm të drejtpërdrejtë të paprecedentë ndaj Izraelit, por pak nga raketat arritën objektivat e tyre. Shumica u rrëzuan nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, ndërsa të tjerat duket se dështuan gjatë lëshimit ose u rrëzuan gjatë fluturimit.
Fuqitë ushtarake të Iranit dhe Izraelit:
BREAKING - FOOTAGE OF MASSIVE MISSILE ATTACK ON ISRAEL FROM IRAN pic.twitter.com/VOlo4reh3V
— Truth Rising TV (@TruthRising_TV) October 1, 2024
Ish-kryeministri izraelit kërkon të shkatërrohet programi nuklear i Iranit
Ish-kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, i ka bërë thirrje vendit të tij që “të veprojë tash” kundër programit nuklear të Iranit. Ai ka thënë se Irani ka “bërë gabim të tmerrshëm” duke lansuar sulm të madh me raketa të martën.
“Izraeli tash ka mundësinë më të madhe në 50 vjet, për ta ndryshuar fytyrën në Lindje të Mesme”, ka shkruar Bennett në platformën “X”. “Ne duhet të veprojmë ‘tash’ për ta shkatërruar programin nuklear të Iranit, objektet e tij qendrore energjetike dhe ta gjymtojmë fatalisht këtë regjim terrorist. Duhet të heqim këtë kërcënim të tmerrshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë”.
Bideni pret të flasë me Netanyahun për të vendosur mbi përgjigjen ndaj Iranit
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se administrata e tij është “plotësisht mbështetëse” ndaj Izraelit pas sulmit me raketa të Iranit, dhe se ai është në diskutim për një përgjigje adekuate.
Bideni ka lavdëruar ushtritë amerikane dhe izraelite për neutralizimin e raketave iraniane.
“Mos bëni gabime, SHBA-ja është plotësisht mbështetëse e Izraelit”, ka thënë ai.
Ka lënë të kuptohet se do të bisedojë me kryeministrin izraelit se çfarë do të jetë përgjigjja për Iranin.
“Sulmi duket se ka qenë joefektiv dhe u mund, dhe kjo është dëshmi për kapacitetin e ushtrisë izraelite dhe amerikane. Mos bëni gabime, SHBA-ja është plotësisht mbështetëse ndaj Izraelit”, ka theksuar ai.
E kandidatja për presidente, Kamala Harris, ka thënë se e mbështet urdhrin e Bidenit që ushtria amerikane të marrë pjesë të neutralizimin e raketave të Iranit.
“Unë gjithmonë do të sigurohem që Izraeli të ketë aftësinë ta mbrojë veten kundër Iranit”, ka thënë ajo.
Irani pretendon se 90 për qind e raketave goditën në cak
Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendon se rreth 90 për qind e raketave të lansuara kundër Iranit kanë goditur me sukses në shënjestra.
Në një deklaratë të publikuar në televizionin shtetëror të Iranit thuhet se sulmi shënjestroi bazat ajrore dhe radarët si dhe aparatet e sigurisë "që planifikuan vrasjen e figurave të larta të Hamasit dhe Hezbollahut".
Në deklaratë thuhet se "Irani ka të drejtë ta mbrojë veten sipas rregullave ndërkombëtare". Stacioni televiziv ka publikuar pamje të raketave të lansuara nga një lokacion i paidentifikuar në Iran.
Përkundër lansimeve të rreth 200 raketave, mediumet izraelite kanë raportuar se dy persona të vetëm të lënduar në Izrael ishin në Tel Aviv nga shrapnelët. Ata u lënduan lehtë. Ndërsa u raportua se në Bregun Perëndimor u vra një palestinez nga shrapnelët.
E forcat e armatosura të Iranit kanë paralajmëruar kundër çdo intervenimi direkt ushtarak në përkrahje të Izraelit.
“Në rast të intervenimit direkt nga shtetet që përkrahin regjimin (Izraelin)...qendrat e tyre dhe interesat në rajon do të përballen me sulme të fuqishme nga forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në reagimin.
These are our hypersonic systems, catch them if you can! pic.twitter.com/VrIZsNcW25
Netanyahu: Irani do të paguajë për gabimin që bëri
“Irani e bëri një gabim të madh sonte dhe do të paguajë për të”, ka thënë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pasi mblodhi Kabinetin e tij të Sigurisë.
Netanyahu është shprehur se sulmi me raketa ishte dështim dhe se Irani shpejt do ta merrte një mësim të dhimbshëm, njëjtë si e kanë marrë armiqtë e tij në Gaza, Liban dhe vendet e tjera.
“Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për ta mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve. (Lideri i Hamasit Yahya) Sinwar dhe (komandanti i lartë ushtarak i Hamasit Mohammed) Deif nuk e kuptuan këtë, (lideri i Hezbollahut Hassan) Nasrallah dhe (shefi i stafit të Hezbollahut Fuad) Shukr nuk e kuptuan këtë, dhe ka disa në Teheran se nuk e kuptojnë këtë”, tha Netanyahu.
Ai ka paralajmëruar se “kushdo që na sulmon, do ta sulmojmë”.
Pentagoni thotë se sulmi i sotëm i Iranit ishte “dyfish” më i madh se ai i prillit
Pentagoni ka thënë se sulmi i sotëm i Iranit ndaj Izraelit ishte rreth “dyfish më i madh” se ai i prillit, sa i përket raketave balistike të përdorura, raporton “BBC”.
Në konferencë për media, gjeneralmajori Patrick Ryder tha se nga dy luftanijet amerikane hodhën një duzinë raketa neutralizuese në drejtim të raketave iraniane.
Ai nuk e konfirmon nëse goditën ndonjë nga raketat e përdorura në sulm, duke shtuar se informacioni nuk është siguruar ende.
SHBA-ja ka pretenduar se rreth 200 raketa balistike janë lansuar të martën. E në sulmin e prillit Irani kishte lansuar mbi 300 dronë e raketa.
Presidenti i Iranit paralajmëron Netanyahun
Presidenti i Iranit, Massoud Pezeshkian, ka mbrojtur sulmin e sotëm ndaj Izraelit. Ai ka paralajmëruar Izraelin nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”.
Pezeshkian thotë se sulmi është kryer bazuar në të “drejtat legjitime” të Iranit dhe me qëllim për “paqe dhe siguri për Iranin dhe rajonin”.
“Bazuar në të drejtat legjitime të Iranit dhe me qëllim të paqes dhe sigurisë për Iranin dhe rajonin, Izraelit iu dha një përgjigje vendimtare në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve iranianë”, ka shkruar Pezeshkian.
Duke iu drejtuar kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ai ka thënë se “ai duhet ta dijë se Irani nuk është një nxitës i luftës, por do të qëndrojë me vendosmëri kundër çdo kërcënimi”.
Ai ka paralajmëruar Izraelin se sulmi i sotëm është “vetëm një vështrim i vogël” i aftësive të Iranit.
Irani paralajmëron një sulm të dytë “më shkatërrues”
Ebrahim Aziz, kreu i Komitetit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme në Parlamentin e Iranit, ka thënë për televizionin shtetëror iranian se kjo ishte vala e parë e sulmeve nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike. Ai ka thënë se shënjestër ishin “qendrat ushtarake dhe infrastruktura ushtarake izraelite, porse sulmet kanë mundur të kenë çuar te goditjet e civilëve për shkak të keqkalkulimeve”, raporton “BBC”.
Azizi ka thënë se nëse Izraeli “gabon sërish”, atëherë do të ketë një valë të dytë që “do të jetë edhe më shkatërruese”.
Ai ka thënë se bazuar në vlerësimet e Iranit, Izraeli “s’mund të hakmerret” ndaj sulmit të Iranit sonte.
E grupi militant palestinez Hamas ka përgëzuar sulmin “heroik” me raketa të Iranit ndaj Izraelit.
Hamas ka uruar Iranin për sulmin.
Izraeli ka thënë se afro 180 raketa janë lansuar nga Irani
Ushtria e Izraelit ka njoftuar se afro 180 raketa janë lansuar nga Irani në drejtim të Izraelit të martën, raporton “BBC”.
Një ekspert izraelit i sigurisë ka thënë se shumica e raketave u shkatërruan nga Forcat Ajrore Izraelite në bashkëpunim me Komandën Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA-së.
Disa goditje janë regjistruar dhe dëmi ende po vlerësohet.

Është thënë më herët se raketat ishin balistike. Por, nuk dihet saktësisht se cilat raketa u përdorën.
“BBC” ka publikuar një hartë dhe arsenalin e raketave të Iranit dhe distancën që mund të përshkojnë.
Raketa më e fuqishme është Shahab 3 që mund të përshkojë distancë 2000 kilometra. Raketa Qiam-1 mund të arrijë rreth 750 kilometra e Zolfaghar mund të arrijë 700 km. Shahab 2 arrin 500 kilometra e Fateh-110 300 deri 500 kilometra. Shahab 1 arrin rreth 300 kilometra.

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit deri tash “pa pasoja në njerëz”
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se deri tash qindra raketat e lëshuara nga Irani nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz.
Zëdhënësi ka paralajmëruar se sulmi ishte serioz dhe do të ketë pasoja për Iranin.
Ushtria u bëri thirrje qytetarëve të largohen nga hapësira e mbrojtura në të gjitha zonat në të gjithë vendin “pas vlerësimit të situatës”.
Irani konfirmon nisjen e sulmit me raketa mbi Izrael
Irani ka konfirmuar se ushtria e saj ka nisur hedhjen e raketave balistike drejt Izraelit.
Por, një valë e dytë raketash raportohet se është hedhur mbi Jerusalem.
E, më vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike ka lëshuar një deklaratë në televizionin shtetëror iranian duke konfirmuar se "dhjetëra" raketa janë lëshuar drejt Izraelit dhe duke kërcënuar se “nëse Izraeli i përgjigjet ushtarakisht këtij operacioni, do të përballet me përgjigje më të ashpër”
Garda e ka përshkruar sulmin si hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe për vrasjen e palestinezëve e libanezëve.
Ka shtuar se ka shënjestruar “baza të rëndësishme”.
Ushtria e Izraelit ka thënë se sulmi i Iranit po vazhdon.
“Kërkoheni të qëndroni në hapësira të sigurta deri në njoftimin e radhës”, thuhet në një njoftim të saj duke shtuar sqarimin se shpërthimet që po dëgjohen janë nga raketat që po pengohen në ajër nga Izraeli.
Footage of ballistic missiles arriving in Israel sent by the Islamic regime in Iran and there are reports of missile hit or fragment of one falling in Tel Aviv. Updates to follow. This is the fourth round of sirens in Tel Aviv tonight. ❤️🩹 pic.twitter.com/Vn25OpIBpk
— Emily Schrader - אמילי שריידר امیلی شریدر (@emilykschrader) October 1, 2024
Raportohet se afro 400 raketa janë lansuar nga Irani në drejtim të Izraelit
Sirenat vazhdojnë të dëgjohen nëpër Izrael pas nisjes së një sulmi me raketa nga Irani.
Mediumi izraelit “Jerusalem Post” ka raportuar se afro 400 raketa janë lansuar nga Irani, përfshirë balistike.
Ushtria Izraelite ka njoftuar se Irani ka lansuar raketa. SHBA-ja para pak orëve kishte njoftuar se sulmi po pritet të ndodhë së shpejti.
Dy raketa raportohen se janë shkatërruar mbi Jerusalem.
Sirens continue to sound across Israel amid an Iranian missile attack.
Some media reports in Israel suggest that over 100 missiles have been launched in the attack. pic.twitter.com/BJ8R3H6XSw— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) October 1, 2024