Botë

Irani po i trajnon rusët në Krime për përdorimin e dronëve kamikazë

Teherani zyrtari ka vendosur dhjetëra instruktorë ushtarakë në gadishullin e Krimesë, për t'iu dalë në ndihmë trupave ruse në përdorimin e dronëve kamikazë.

Siç raportoi “Kyivpost” të martën, instruktorët e Iranit janë vendosur në një qendër trajnimi në Aeroportin Kirov, që drejtohet nga Rusia pranë Kepit Tarkhankut të Krimesë. Aty thuhet se po trajnohen rusët për t'i përdorur dronët kundër caqeve ukrainase.

Ushtria e Ukrainës tha se 36 dronë të tipit Shahed-136 ranë më 16 dhe 17 tetor në tetë qytete ukrainase. Sulmet u kryen mbi qendra banimit, biznese dhe infrastruktrurë të rrjetit së energjisë.

Njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase përdorën raketa dhe mjete të tjera artilerie për t'i ndaluar dronët. 24 prej tyre i shkatërruan, njoftuan Forcat Ajrore.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, i mohoi deklarimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Irani po e furnizon masivisht Rusinë me dronë.

Që nga e hëna, Kievi po bombardohet me dronë kamikazë, derisa dhjetëra civilë u vranë.