Irani e ka paralajmëruar Rusinë për mundësinë e një “operacioni të madh terrorist” brenda këtij vend, para sulmit të armatosur që ndodhi brenda një salle të koncerteve në Moskë muajin e kaluar ku u vranë të paktën 144 persona, kanë thënë tri burime për Reuters.
“Disa ditë para sulmit në Rusi, Teherani ka ndarë informacione me Moskën për sulm të mundshëm të madh terrorist brenda shtetit rus”, ka thënë një nga burimet.
Edhe Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Rusinë paraprakisht për sulm të mundshëm militant islamik, por Moska, e hodhi poshtë këtë paralajmërim.
Irani arrestoi 35 persona në janar, duke përfshirë një komandant të degës së Shtetit Islamik me bazë në Afganistan, ISIS-Khorasan (ISIS-K), për të cilët tha se ishin të lidhur me dy bombat e 3 janarit në qytetin e Kermanit që vranë afro 100 njerëz.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për shpërthimet në Iran, më të përgjakshmet që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Burimet e inteligjencës amerikane thanë se ISIS-K kishte kryer të dyja sulmet, atë të 3 janarit në Iran dhe të shtënat e 22 marsit në Moskë.
Një burim i dytë, i cili gjithashtu kërkoi anonimitetin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se informacioni që Teherani i dha Moskës për një sulm të afërt nuk kishte detaje specifike në lidhje me kohën dhe objektivin e saktë.
"Ata (anëtarët e ISIS-K) u udhëzuan të përgatiteshin për një operacion të rëndësishëm në Rusi... Një nga terroristët (i arrestuar në Iran) tha se disa anëtarë të grupit kishin udhëtuar tashmë për në Rusi", tha burimi i dytë.
Burimi i tretë, zyrtar i lartë i sigurisë, tha autoritetet iraniane përmbushën detyrimin e tyre për ta alarmuar Moskën bazuar në informacionin e marrë nga terroristët e arrestuar.