Botë

Irani njofton hapjen e klinikave të trajtimit për gratë që refuzojnë hixhabin

Iran, hixhab

Shteti iranian ka bërë të ditur se planifikon të hapë një klinikë trajtimi për gratë që kundërshtojnë ligjet e detyrueshme të hixhabit, sipas të cilave gratë duhet të mbulojnë kokën në publik.

Hapja e një “klinike për trajtimin e heqjes së hixhabit” u njoftua nga Mehri Talebi Darestani, e cila është në krye të Departamentit të Grave dhe Familjes në Shtabin e Teheranit për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit. Ajo ka thënë se klinika do të ofrojë "trajtim shkencor dhe psikologjik për heqjen e hixhabit".

Gratë iraniane dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur zemërim për njoftimin, raporton The Guardian.

Sima Sabet, një gazetare iraniane me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ishte objektiv i një atentati iranian vitin e kaluar, ka thënë se masa është "e turpshme".

"Ideja e krijimit të klinikave për 'shërimin' e grave të pambuluara është rrëqethëse, ku njerëzit janë të ndarë nga shoqëria thjesht për mospërputhje me ideologjinë sunduese”, është shprehur Sabet.

Avokati iranian i të drejtave të njeriut, Hossein Raeesi, ka thënë se ideja e një klinike për të trajtuar gratë që nuk respektojnë ligjet e hixhabit nuk është "as islame dhe as nuk është në përputhje me ligjin iranian".

Ai ka thënë gjithashtu se ishte alarmante që deklarata erdhi nga Departamenti i Grave dhe Familjes i Shtabit të Teheranit për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, i cili është nën autoritetin e drejtpërdrejtë të liderit suprem, Ali Khamenei.

Njoftimi për hapjen e klinikës vjen pak pasi media shtetërore raportoi se një studente universiteti u arrestua pasi u zhvesh në të brendshme në Teheran, në shenjë proteste ndaj sulmit nga rojet e sigurisë së kampusit për shkelje të ligjit të hixhabit.