Një grua iraniane nuk do të përballet me akuza pasi ishte zhveshur në të brendshme në një protestë të saj kundër hixhabit, në një universitet në Teheran, kanë bërë të ditur autoritetet iraniane.
Në fillim të këtij muaji ishte bërë virale videoja që tregonte gruan e zhveshur, të quajtur Ahoo Daryaei, në një kampus universitar, përpara se të arrestohej me forcë, raporton BBC.
Një zëdhënës i gjyqësorit iranian ka thënë se gruaja është trajtuar në spital dhe është kthyer te familja e saj.
Arrestimi i saj nxiti reagim ndërkombëtar, teksa “Amnesty International” ishte në mesin e atyre që bënë thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm dhe pa kushte.
“Duke pasur parasysh se ajo u dërgua në spital dhe u konstatua se ishte e sëmurë, ajo iu dorëzua familjes së saj, dhe kundër saj nuk është ngritur asnjë rast gjyqësor”, ka thënë zëdhënësi i gjyqësorit Asghar Jahangir.
Nuk është hera e parë që autoritetet iraniane e cilësojnë një grua që proteston ndaj ligjeve të detyrueshme të hixhabit, me një sëmundje mendore.
Mbulimi i qafës dhe kokës dhe veshja modeste u bënë të detyrueshme për gratë në Iran pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Dy vjet më parë, gruaja kurde, Mahsa Amini, vdiq në paraburgim pasi ishte arrestuar për mosvënie të hixhabit “si duhet”.