Tensionet e ngritura, që kanë shkaktuar nivelet më të larta të alarmimit në mesin e personelit amerikan në Irak, mund ta vështirësojnë punën e administratës së ardhshme të Bidenit për ta përqendruar ushtrinë në mënyrë më agresive kundrejt Rusisë dhe Kinës
Washington, 5 janar (AP) – Joe Bideni përballet me problemin e Iranit. Dhe halli është se gjendja po ndërlikohet edhe më shumë dita-ditës.
Për shkak të lëvizjeve provokuese të Iranit dhe aksioneve më pak koherente prej administratës në largim të Trumpit , presidenti i zgjedhur amerikan po përballet me gjendje përherë e më të paqartë kur vjen puna tek Irani, një mallkim disadekadësh për Amerikën që është kthyer në cak fajësie për shumicën e destabilitetit në Lindje të Mesme.
Vetëm gjatë javës së kaluar, ekipi i presidentit Donald Trump ka dërguar bombarduesit B-52 në Gjirin Persik në kundërpërgjigje ndaj planeve iraniane për një sulm dhe përmbyti vendimin për të kthyer në vend “USS Nimitz”, luftanijen e vetme amerikane në rajon.
Të hënën, Irani jo vetëm që bëri të ditur se ka rinisur pasurimin e uraniumit në kundërshtim me marrëveshjen e vitit 2015 për programin atomik, por edhe rrëmbeu një tankier koreanojugor nafte dhe ekuipazhin e tij. Ky kombinim veprimesh kokëçarëse vjen vetëm dy javë para se presidenti i zgjedhur të inaugurohet, duke kërcënuar kështu me shtyrje të zbatimit të zotimit të Bidenit për t’iu kthyer marrëveshjes prej së cilës Trumpi e tërhoqi SHBA-në më 2018.
Por, cilat janë zhvillimet që duhet të analizohet më thelbësisht, shtrohet çështja në analizën e agjencisë amerikane të lajmeve, AP.
A ka rrezik të përshkallëzohen tensionet?
Shqetësimet janë alarmuese për shkak se ka disa javë prej se Irani vetëm po i kontribuon ngritjes së tensioneve, sidomos në këtë kohë kur u shënua trevjetori i vrasjes nga SHBA-ja i gjeneralit iranian në Irak. Ky përvjetor vetëm përshkallëzoi tensionet, duke ngjallur frikën në mesin e zyrtarëve të lartë amerikanë për sulm hakmarrës nga Irani, ose nga milicitë aleate në Irak, që më parë kishin shkrepur raketa kundër bazave amerikane në këtë vend.
Edhe pse njoftimi për pasurimin e uraniumit, e as marrja peng e anijes koreanojugore nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vrasjen e gjeneralit Soleimani, dy lëvizjet ngritën tensionet në rajon, i cili kaherë është kthyer në një pjesë të paparashikueshme të botës.
A pritet të ketë përplasje ushtarake?
Një hise e shqetësimit lidhet edhe me drojën se një lëvizje e vetme e gabuar – ose një provokim i paqëllimshëm – ka potencialin për të shkaktuar luftë.
Nuk ka shenjë se SHBA-ja po planifikon një sulm kundër Iranit, megjithëse Trumpi ka thënë se do t’i kundërvihej çfarëdo sulmi të Iranit ose të milicive të tij në Irak që do të rezultonte me vdekjen e një amerikani të vetëm. Ushtria amerikane kaherë ka në pronësi një gamë të gjerë armatimesh dhe trupash në Lindje të Mesme, që do të mund të angazhoheshin në rast të shpërthimit të armiqësive. Por, vetë Trumpi e ka përjashtuar mundësinë e nxitjes së ndonjë lufte në Lindje të Mesme.

Skenari që i shqetëson zyrtarët amerikanë është kryerja eventuale e ndonjë sulmi nga Irani, qoftë brenda Irakut, qoftë diku tjetër në rajonin e Gjirit, e që do të nxiste hakmarrje të Trumpit, duke çuar drejt një lufte më të gjerë në rajon. Kjo është pjesë e arsyes pse SHBA-ja ka mbajtur një luftanije në rajon, duke e kthyer pothuajse në bazë të përhershme prej majit të vitit 2019, kur për herë të parë Shtëpia e Bardhë njoftoi se druante se Irani po planifikonte sulme kundër personelit amerikan në rajon.
Kthimi e rikthimi i luftanijes amerikane në Gji?
Vajtje-ardhjet e pazakonshme të luftanijes “Nimitz” prej sekretarit në detyrë të Mbrojtjes, Christopher Miller, duket se kishin nënvlerësuar përpjekjet e Komandës Qendrore Amerikane për ta bindur se Irani nuk do të paguante kurrfarë çmimi në rast të ndonjë sulmi kundër forcave amerikane.
Luftanija e madhe, me një sulm shtesë dhe me mbështetje ushtarake sulmuese ajrore, po largohej realisht nga rajoni në kohën kur mori fjalën se duhej të kthehej nga kishte ardhur.
Nisja e “Nimitzit” drejt SHBA-së kishte javë që po diskutohej, për shkak se ishte një mision i madh dhe ishte menduar se do të kthehej në brigjet amerikane në fund të vitit 2020. Por, turneu ishte shtyrë edhe për disa javë me qëllim mbështetjen e tërheqjes së trupave amerikane në Afganistan, Somali dhe Irak. Por me ngritjen e tensioneve me Iranin në mesdhjetor, Komanda Qendrore donte ta mbante luftanijen në afërsi. Në vend të kësaj, Milleri njoftoi se kishte urdhëruar kthimin e saj në brigjet amerikane. Tri ditë më vonë, ai i ndërroi fjalët dhe tha se luftanija do të mbetej.
Vendimet e ndryshueshme për “Nimitzin” zunë në befasi disa zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes, duke sugjeruar se vendimi mund të jetë marrë në Shtëpinë e Bardhë e jo si rezultat i ndonjë argumentimi të ri nga zyrtarët e lartë të Ushtrisë amerikane.
Pse po fluturojnë B52-shat në Gji?
Këto fluturime të bombarduesve në shtigje të gjata nuk janë të zakonshme, por janë kthyer në rutinë së fundmi si shenjë e demonstrimit të guximit ushtarak. Janë kryer tri misione me bombardues B-52 në rajon brenda më pak se dy muajsh, me të fundit të kryer më 30 dhjetor.

Fluturimet rutinore nga Shtetet e Bashkuara kanë për qëllim të demonstrojnë se sa shpejt mund të mbërrijnë bombarduesit amerikanë në rajon. Ata mund të pajisen me raketa bërthamore dhe konvencionale. Gjenerali i marinës, Frank McKenzie, komandanti më i lartë amerikan në Lindje të Mesme, e bëri të qartë gjatë javës mesazhin, duke thënë: “Nuk kërkojmë konflikt, por askush nuk duhet ta nënvlerësojë aftësinë tonë për t’i mbrojtur forcat tona ose për të vepruar vendosmërisht në kundërpërgjigje ndaj një sulmi”.
Çfarë paraqet kjo për Bidenin?
Ekipi i transicionit i Bidenit ka refuzuar të komentojë hollësisht zhvillimet e fundit dhe se çfarë paraqesin ato për planet e tyre. Por, Bideni dhe këshilltarët e tij më të lartë të sigurisë kombëtare kanë folur për politikën e tyre ndaj Iranit në vija të trasha. Në krye të listës është afrimi i Iranit me qëllim që të bashkëpunojë në pajtim me marrëveshjen e programit atomik dhe se pastaj do të zgjerohet pakti, me të cilin do të rregullohet edhe çështja e sjelljeve jobërthamore që nuk ishte përfshirë në marrëveshjen fillestare.
Megjithatë, Irani ka bërë të ditur se do ta respektojë marrëveshjen vetëm nëse SHBA-ja i kthehet ujdisë dhe tërheq sanksionet që i ka vënë Trumpi gjatë dy vjetëve të kaluar. Njëherësh, këshilltarët e Bidenit kanë thënë se Irani nuk mund të shpërblehet me zbutje të sanksioneve nëse nuk e respekton marrëveshjen.
Veprimet e fundit të Iranit, dyzuar me lëvizjen e forcave nga administrata e Trumpit, ndërlikojnë diplomacinë dhe ngrehin rrezikun e llogarive të gabuara, derisa tensionet vazhdojnë të ngrihen ndërmjet Iranit dhe fqinjëve të tij.
Tensionet e ngritura, që kanë shkaktuar nivelet më të larta të alarmimit në mesin e personelit amerikan në Irak, mund ta vështirësojnë punën e administratës së ardhshme të Bidenit për ta përqendruar ushtrinë në mënyrë më agresive kundrejt Rusisë dhe Kinës.
Analizë e agjencisë amerikane të lajmeve, AP