Irani qëndron pas hakimit të fundit të fushatës presidenciale të Donald Trumpit, kanë konfirmuar zyrtarë të inteligjencës amerikane.
FBI-ja dhe agjenci të tjera federale thanë në një deklaratë të përbashkët se Irani kishte zgjedhur të ndërhynte në zgjedhjet amerikane "për të nxitur mosmarrëveshje dhe për të minuar besimin në institucionet tona demokratike", raporton BBC.
Fushata e Trumpit drejtoi gishtin nga Irani më 10 gusht për hakerimin e mesazheve të tij të brendshme.
Zyrtarët iranianë e mohuan atë.
Burime të njohura me hetimin i thanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se ata dyshojnë se hakerat iranianë kanë shënjestruar edhe fushatën e kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris.
“Komuniteti i inteligjencës është i bindur se iranianët, nëpërmjet inxhinierisë sociale dhe përpjekjeve të tjera, kanë kërkuar ndërhyrje te individët me qasje të drejtpërdrejtë në fushatat presidenciale të të dyja partive politike”, thanë zyrtarët e inteligjencës amerikane në deklaratë.
"Aktivitete të tilla, duke përfshirë vjedhjet dhe zbulimet, kanë për qëllim të ndikojnë në procesin zgjedhor të SHBA-së”, thuhet më tej në deklaratë.
Fushatës së Trumpit thuhet se i është dërguar një mesazh i krijuar për t'u dukur i besueshëm.
Fushata e Harrisit ka thënë gjithashtu javën e kaluar se kishte qenë objektiv i një sulmi, megjithëse ishte i pasuksesshëm.
Agjencitë që lëshuan deklaratën e së hënës, duke përfshirë FBI-në, Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës, thanë se taktikat nuk ishin "të reja" dhe vunë në dukje se Rusia dhe Irani kishin përdorur metoda të tilla gjatë zgjedhjeve të mëparshme në SHBA.