Botë

Irani i përgjigjet kërcënimit të Trumpit me kërcënim

Trump - Khamenei

Autoritetet iraniane fajësojnë Perëndimin për trazirat e fundit

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka thënë të hënën se SHBA-ja do të marrë një goditje të fortë nëse vepron sipas kërcënimit të presidentit, Donald Trump, për bombardim, në rast se Teherani zyrtar nuk arrin një marrëveshje të re bërthamore me Uashingtonin zyrtar.

Trumpi ka përsëritur të dielën kërcënimin e tij se Irani do të bombardohet nëse nuk e pranon ofertën e tij për bisedime, të paraqitur në një letër dërguar udhëheqjes së Iranit në fillim të marsit, e përmes së cilës i jepte Teheranit një afat dy-mujor për të marrë një vendim, raporton Reuters.

Ambasadori i Zvicrës, i cili përfaqëson interesat e SHBA-së dhe vepron si ndërmjetës midis Uashingtonit dhe Teheranit, është thirrë të hënën nga ministria e Jashtme iraniane, e cila ka shprehur vendosmërinë e Teheranit për t'iu përgjigjur menjëherë çdo kërcënimi.

"Armiqësitë nga SHBA-ja dhe Izraeli kanë ekzistuar gjithmonë. Ato kërcënojnë se do të na sulmojnë, gjë që ne nuk mendojmë se është shumë e mundshme, por nëse ata bëjnë ndonjë të keqe, me siguri do të marrin një goditje të fortë reciproke”, ka thënë Khamenei.

"Dhe nëse ata mendojnë të shkaktojnë trazira brenda vendit si në vitet e kaluara, vetë populli iranian do të merret me ta”, ka shtuar ai. 

Autoritetet iraniane fajësojnë Perëndimin për trazirat e fundit, duke përfshirë protestat e viteve 2022-2023 për vdekjen në paraburgim të Mahsa Aminit, një gruaje të re të arrestuar për shkelje të dyshuar të rregullave të hixhabit, dhe protestat mbarëkombëtare në vitin 2019 për rritjen e çmimit të karburantit.

Javën e kaluar, Irani i është përgjigjur letrës së SHBA-së, përmes së cilës, presidenti Masoud Pezeshkian shpjegonte se Teherani nuk do të hynte në negociata të drejtpërdrejta me Uashingtonin, por ishte i gatshëm të vazhdonte bisedimet në mënyrë indirekte në përputhje me një urdhër nga Khamenei.

Në mandatin e tij të parë 2017-21, Trumpi kishte tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, që vendoste kufizime të rrepta për aktivitetet e diskutueshme bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.