Botë

Irani i gatshëm për bisedime indirekte me SHBA-në, thotë këshilltari i Khameneit

Ayatollah Ali Khamenei

Foto: Associated Press

Kamal Kharrazi, këshilltari i lartë i liderit suprem të Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të enjten se Teherani zyrtar është i gatshëm të zhvillojë negociata indirekte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton agjencia Reuters.

Deri më tani, Teherani ka shpërfillur paralajmërimin e presidentit amerikan, Donald Trump, që të nënshkruajë një marrëveshje të re ose të ballafaqohet me pasojat ushtarake. Lideri suprem iranian, Khamenei, i pati cilësuar kërkesat e Trumpit si “manipuluese”, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araqchi, ka thënë se bisedimet janë të pamundura nëse nuk ndryshohet qasja e “presionit maksimal” nga ana e SHBA-së.

“Republika Islamike nuk i ka mbyllur të gjitha dyert. Është e gatshme për bisedime indirekte me Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të vlerësojë palën tjetër, të parashtrojë kushtet e veta dhe të marrë vendimin e duhur”, ka deklaruar Kharrazi. 

Në mandatin e tij të parë si president, Trumpi u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 dhe riktheu sanksionet karshi Iranit. 

Fuqitë perëndimore akuzojnë Iranin për agjendë të fshehtë, e cila synon të zhvillojë kapacitete për armë bërthamore duke pasuruar uraniumin në nivele të larta, shumë më tepër sesa llogaritet që është e justifikueshme për një program civil të energjisë bërthamore.

E Teherani në anën tjetër, vazhdon të përsërisë se programi i tij bërthamor është krejtësisht për qëllime energjetike civile.