Botë

Irani dhe SHBA-ja përgatiten për bisedime në nivel ekspertësh në Oman

araghchi

Foto: Associated Press

Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përgatitur për të filluar rundin e tretë të bisedimeve gjithëpërfshirëse në Oman, mbi programin nuklear të Teheranit zyrtar, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se bisedimet kanë filluar të shtunën në Muscat. Megjithatë, as ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, e as i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, nuk ofruan detaje mbi bisedimet. 

Araghchi mbërriti të premten në Oman, ku u takua me homologun e tij, Badra al-Busaidi, me të njëjtin që ka ndërmjetësuar dy rundet paraprake të bisedimeve në Muscat dhe Romë. Araghchi më pastaj vizitoi Panarin Ndërkombëtar të Librit në Muscat, i rrethuar nga kamerat dhe fotoreporterët.

E nga ana tjetër, Witkoff ishte të premten në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai mbërriti të shtunën në Oman. 

Bisedimet synojnë të kufizojnë programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve të rënda ekonomike që SHBA-ja i ka vendosur ndaj Republikës Islamike, teksa armiqësia ndërmjet dy vendeve po vazhdon për më shumë se gjysmë shekulli. 

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur kërcënimet se do të ndërmarrë sulme ajrore kundër Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje. 

“Situata me Iranin po shkon shumë mirë. Kemi pasur shumë bisedime me ta dhe mendoj se do të arrijmë një marrëveshje. Do të preferoja shumë më tepër një marrëveshje sesa alternativën tjetër. Kjo do të ishte e mirë për njerëzimin”, ka thënë Trump për gazetarët nga avioni presidencial “Air Force One”.