Raundi i dytë i negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rreth programit nuklear të Teheranit ka përfunduar të shtunën pas disa orë bisedimesh, kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë dhe ata iranianë.
Nuk ka pasur ndonjë deklaratë se si shkuan bisedimet e zhvilluara në ambasadën e Omanit në Romë. Një veturë e cila po barte të dërguarin e posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff është larguar nga objekti i ambasadës, teksa ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abbas Araghchi është parë duke u larguar disa minuta më vonë.
Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka thënë për televizion shtetëror menjëherë pas negociatave se Irani “do të vazhdojë rrugën e bisedimeve me seriozitet”, në mënyrë që të garantohet heqja e sanksioneve ekonomike, transmeton agjencia e lajmeve AP.
“Irani do të vazhdojë për aq sa bisedimet zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe të qëllimshme”, ka shtuar ai.
Zyrtarët iranianë i kanë përshkruar bisedimet si indirekte, sikurse ato fillestaret të mbajtura fundjavën e kaluar në Muscat të Omanit.
Trumpi ishte larguar nga pakti bërthamor i 2015-s në mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore gjatë mandatit të parë në vitin 2018 dhe ka rivendosur sanksione të rënda mbi Teheranin. Ai ka ringjallur fushatën për “presion maksimal” mbi Iranin që kur është kthyer në detyrë në janar.