Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës raundin e ri të bisedimeve rreth programit bërthamor do ta mbajnë në Romë të shtunën, për të gjetur një zgjidhje rreth problemit disa dekadash mbi qëllimet bërthamore të Teheranit, nën hijen e kërcënimit të presidentit amerikan për veprime ushtarake nëse diplomacia dështon, ka raportuar agjencia e lajmeve “Retuers”.
Ministri i Jashtëm i Irani, Abbas Araqchi, dhe i dërguari special i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të negociojnë në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësueseve nga Omani, pasi raundi i parë në Muskat u përshkrua si konstruktiv nga të dyja palët.
Araqchi ka arritur në Romë për të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve, sipas një postimi në llogarinë e tij të Telegramit. Të premten ai tha në Moskë se Irani beson se arritja e një marrëveshjeje për programin bërthamor me SHBA-në është e mundur derisa Washingtoni të jetë realist.
Gjithsesi Teherani ka synuar t’i ulë pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë, pasi disa zyrtarë iranianë kanë spekuluar se sanksionet do të largohen shumë shpejtë. Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, këtë javë ka deklaruar se ai është “as shumë optimist as pesimist”.
“Unë jam për ndalimin e Iranit, shumë thjeshtë, që të ketë një armë bërthamore. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Dua që Irani të jetë i madhërishëm dhe me të ardhme të ndritur dhe i mrekullueshëm”, ka deklaruar Donald Trump.
Trumpi është larguar nga pakti bërthamor i 2015-tës në mes Iranit dhe gjashtë fuqive gjatë mandatit të parë në vitin 2018 dhe ka rivendosur sanksione të rënda mbi Teheranin. Ai ka ringjallur fushatën e tij për “presion maksimal” mbi Iranin që kur është kthyer në detyrë në janar.
Washingtoni dëshiron që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar, që beson se synon të ndërtojë një bombë bërthamore.
Teherani, i cili gjithmonë ka deklaruar se programi i tij bërthamor është paqësor, thotë se është i gatshëm të negociojë disa pjesë në këmbim të largimit të sanksioneve, por dëshiron garanci të sigurta që Washingtoni nuk do të refuzojë siç bëri Trumpi në vitin 2018.