Ministri i Jashtëm i Iranit ka akuzuar SHBA-në se ia ka dhënë Izraelit “dritën e gjelbër” që ta sulmojë Konsullatën e Iranit në Siri, ku u vranë shtatë zyrtarë ushtarakë iranianë, përfshirë dy gjeneralë, raporton agjencia “AP”.
Hossein Amirabdollahian ka ripërsëritur se Tehrani do të reagojë ndaj sulmit, për të cilën fajësohet Izraeli. Sulmi është vlerësuar si një shenjë që Izraeli ka përshkallëzuar shënjestrimin e zyrtarëve ushtarakë të Iranit, vendit që përkrah grupet militante që po e luftojnë Izraelin në Gaza, e po ashtu grupin Hezbollah në Liban.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një adresim të hënën ka thënë se grupi i tij do ta mbështesë një reagim ushtarak të Tehranit ndaj sulmit që vrau gjeneralin Mohammad Reza Zahedi, zyrtar i lartë ushtarak në Gardën Revolucionare të Forcave Quds të Iranit.
Kjo ka rritur frikë për përshkallëzim të luftës në Lindje të Mesme.
Që nga fillimi i luftës në Gaza gjashtë muaj më parë, janë shtuar konfrontimet mes Izraelit dhe Hezbollahut. Hamasi, që udhëheq me Gazan dhe sulmoi Izraelin më 7 tetor, është i përkrahur nga Irani, si dhe grupe tjera irakiane që sulmojnë bazat ushtarake amerikane dhe pozicionet e SHBA-së në Siri e Irak.
Ndonëse Izraeli rregullisht ka kryer sulme duke shënjestruar zyrtarët ushtarakë të Iranit dhe aleatëve të tij, vdekja e Zahedit ka qenë goditja më e madhe për Tehranit që nga viti 2020 kur në një sulm amerikan me dron u vra në Bagdad shefi i Forcave Quds, gjenerali Qassim Soleimani.
“Dua të them shumë zëshëm nga këtu në Damask, se Amerika e ka përgjegjësinë për atë që ndodhi dhe duhet të mbahet përgjegjëse”, ka thënë Amirabdollahian për gazetarët në Damask gjatë vizitës në Siri.
Amirabdollahian po ashtu u takua me presidentin e Sirisë, Bashar Assad.
Ministri i jashtëm iranian ka thënë se Washingtoni dhe “dy shtet evropiane” nuk kanë dënuar sulmin ndaj një ndërtese diplomatike iraniane.
Administrata e Joe Bidenit ka insistuar se nuk kishte njohuri paraprake për një sulm ajror.
Izraeli, që rrallë komenton sulmet kundër shënjestrave iraniane, ka thënë se nuk ka koment për të bërë për sulmet në kryeqendrën siriane.
Mirëpo, zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, javën e kaluar tha se SHBA-ja ja vlerësura se Izraeli është përgjegjës.