Botë

Iraku e ndalon grupin separatist kurd dhe forcon lidhjen me Turqinë

Erdogan - Sudan

Foto: Associated Press

Qeveria e Irakut e ka ndaluar zyrtarisht grupin separatist kurd, i cili është përfshirë në konflikt të gjatë me Turqinë.

Turqia ka kërkuar bashkëpunim më të madh nga Bagdadi në luftën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, një grup kurd që ka zhvilluar kryengritje kundër Turqisë që nga vitet 1980 dhe është ndaluar atje, raportoi AP.

Urdhri i lëshuar më 14 korrik dhe i publikuar të martën thotë se kryeministri Mohammed Shia al-Sudani ka lëshuar udhëzime për PKK-në që të përshkruhet si “Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit” në përmendjet zyrtare. Është deklarata më e qartë nga qeveria irakiane për statusin e këtij grupi.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e vizitoi Irakun në prill për herë të parë pas më shumë se një dekadë. Në atë kohë, Erdogan pati thënë se ai e Sudani ishin “konsultuar për hapa të përbashkët kundër organizatës terroriste PKK dhe zgjatimeve të saj, e cila ka cak Turqinë nga territori irakian”.

Iraku nuk e ka ndjekur Turqinë në emërimin e PKK-së organizatë terroriste, por e ka futur në listën e organizatave të ndaluara.