Botë

Intifada e re? Të rinjtë palestinezë po i rrokin armët

Persona të armatosur palestinezë marrin pjesë në një shërbim përkujtimor, në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun e pushtuar Perëndimor, më 3 mars

Përpara se një grup të rinjsh nga kampi i refugjatëve “Aqabat Jabr” të kryente një sulm të dështuar në një restorant në Jericho, i njohur si vend me kolonë izraelitë, deklaruan besnikërinë ndaj “Hamasit”. Kjo ishte një surprizë për familjet e tyre - dhe për vetë “Hamasin”.

"Ata nuk ishin anëtarë të ‘Al-Qassamit’ deri në atë moment", tha Vael Avdat, babai i Ibrahimit dhe Rafatit, dy anëtarë të grupit, duke përdorur emrin e krahut të armatosur të “Hamasit”. "Ata kishin një jetë normale. Kjo ishte diçka personale”.

Tjetërsimi

Historia e tyre ilustron përzierjen komplekse të veprimit spontan dhe shoqërimit midis fraksioneve të krijuara dhe grupeve të reja gjatë një rritjeje të dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar që ka nxitur frikën e një intifade të re palestineze për të ndjekur kryengritjet e viteve 1980 dhe fillim të viteve 2000.

Të tjetërsuar nga udhëheqja kryesore palestineze dhe të rritur në një epokë të mediave sociale, një brez i ri palestinezësh ka formuar një tufë grupesh militante, nga "Gropa e Luanëve" me bazë në Nablus deri te “Brigada Jenin”.

Shpesh me vetëm një grusht luftëtarësh, grupet militante të shfaqura përgjatë Bregut Perëndimor gjatë vitit të kaluar kanë vetëm lidhje të lirshme me fraksione të tilla si “Hamasi”, “Fatahu” ose “Xhihadi Islamik”.

Me mbikëqyrjen e rreptë që e bën të pamundur funksionimin normal në Bregun Perëndimor, “Hamasi”, i cili drejton Rripin e bllokuar të Gazës, po mbështetet në rrjete më fleksibile dhe joformale për të shmangur zbulimin, i thanë Reutersit dy zyrtarë të “Hamasit”, duke folur në kushte anonimiteti nga frika e reprezaljeve izraelite.

Një kuadër i “Hamasit” në Jericho, zakonisht qytet i qetë, i popullarizuar si një vend arratisjeje fundjave pranë Detit të Vdekur, i tha Reutersit se lëvizja nuk kishte ditur për qelizën pas sulmit në restorant, por tha: "Çdo fraksion do të ishte i lumtur t'i pretendonte ata si anëtarë”.

Disa ditë pas sulmit, i cili dështoi kur u bllokua një armë, të rinjtë në grup u vranë në një bastisje izraelite.

"Të gjitha shenjat janë se intifada po vjen", tha kuadri i “Hamasit”, i cili nuk pranoi të përmendej nga frika e reprezaljeve izraelite. "Ka një brez të ri njerëzish që besojnë se e vetmja zgjidhje është lufta e armatosur”.

Image
"Të gjitha shenjat janë se intifada po vjen", tha kuadri i “Hamasit”, i cili nuk pranoi të përmendej nga frika e reprezaljeve izraelite

Ndikimi i mediave sociale

Degët spontane të fraksioneve të krijuara, si batalioni i panjohur më parë “Aqabat Jabr”, i formuar nga vëllezërit Avdat dhe miqtë e tyre, janë përhapur.

"Sot kemi një brez të ri që është i vetëdijshëm për rezistencën dhe ky është një brez që e njeh egërsinë e okupimit”, tha një luftëtar i ri i maskuar në një tubim në Jenin këtë muaj, me ngjyrat e “Al-Kassamit” rreth kokës.

"Ai brez nuk ka frikë nga arrestimi, plagosja apo martirizimi. Nuk ka frikë nga asgjë", i tha ai Reutersit.

Pa lidership qendror, grupet nxjerrin mesazhin e tyre përmes këngëve, videove të TikTokut dhe posterëve të luftëtarëve në mure, duke u ofruar një model të rinjve të zemëruar nga ajo që i ndiejnë si poshtërime të përsëritura nga ushtarët dhe kolonët izraelitë.

"Numri i luftëtarëve po rritet gjatë gjithë kohës dhe armiku duhet të dijë se dhuna kundër popullit tonë dhe kampeve tona po e shton numrin e tyre duke mos e reduktuar atë”, tha një person i armatosur i maskuar nga brigada “Jenin”.

Gjatë vitit të kaluar forcat izraelite kanë kryer bastisje thuajse ditore në Bregun Perëndimor si pjesë e një goditjeje të nisur pas një sulmi vdekjeprurës ndaj Izraelit nga palestinezët.

Më shumë se 200 palestinezë, përfshirë militantë dhe civilë, janë vrarë - rreth 80 vetëm këtë vit - ndërsa mbi 40 izraelitë dhe shtetas të huaj janë vrarë në sulmet e palestinezëve në Izrael, Bregun Perëndimor ose rreth Jerusalemit.

Me afrimin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit dhe Pashkës hebraike, frika për më shumë dhunë është rritur, me një vërshim armësh që po kontrabandohen nga Siria, Libani, Iraku, Libani, Jordania dhe vetë Izraeli, thonë zyrtarët palestinezë dhe ata izraelitë.

"Janë armë të duhura, janë M16, kallashnikovë, janë pistoleta, janë municione, nuk janë armë që mund t'i bësh në shtëpi, janë armë që i blejnë vendet", tha një oficer i lartë izraelit, i cili foli për Reutersin me kusht që të mos i përmendej emri.

Përveç kësaj, oficeri tha se gjenerata e re e militantëve po përdorte mediat sociale në mënyrë efektive për t'u mobilizuar.

“Ne kemi armën më vdekjeprurëse që ekziston, për të cilën askush nuk flet, që është telefoni, kështu që në rrjetet sociale shumë lehtë gjërat kalojnë nga dora në dorë nëpërmjet TikTokut, etj.”, tha ai.

Përktheu: Rexhep Maloku