Forcat ukrainase kanë goditur për herë të parë një avion luftarak rus të gjeneratës së fundit Sukhoi Su-57 në një bazë ajrore brenda Rusisë, ka bërë të ditur të dielën agjencia e Inteligjencës mbrojtëse të Kievit “GUR”, duke treguar fotografi satelitore për të cilat tha se konfirmonin sulmin.
Në një postim në Telegram, "GUR" nuk specifikoi se si u godit Su-57 ose nga cila njësi e ushtrisë ukrainase, raporton Reuters.
Një bloger i njohur ushtarak rus pro-luftës, i cili e quan veten Fighterbomber dhe fokusohet në aviacion, ka thënë se raporti i sulmit në Su-57, ishte i saktë dhe se ai ishte goditur nga një dron.
Sipas “GUR” avioni ishte parkuar në aeroportin e Akhtubinsk, i cili është 589 km nga vijat e frontit në Ukrainë midis forcave pushtuese ukrainase dhe ruse.
"Fotografitë tregojnë se më 7 qershor, Su-57 qëndronte i paprekur dhe më (8 qershor), kishte kratere nga shpërthimi dhe pika karakteristike zjarri”, ka bërë të ditur “GUR”.
Ukraina po lufton pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. Të dyja palët kryejnë sulme të rregullta qindra kilometra në territorin e armikut me raketa dhe dronë.