Botë

Inteligjenca amerikane pyetet për vlerësimin e gabuar që e bëri për Afganistanin dhe Ukrainën

Inteligjenca amerikane pyetet për vlerësimin e gabuar që ia bëri Afganistanit dhe Ukrainës

Zyrtarët e lartë të inteligjencës amerikane u morën në pyetje të martën për atë se pse ata e vlerësuan gabim qëndrueshmërinë e qeverive si në Afganistan ashtu edhe në Ukrainë, dhe nëse duhet të reformojnë mënyrën se si agjencitë e inteligjencës vlerësojnë vullnetin e një ushtrie të huaj për të luftuar, raportoi AP.

Inteligjenca amerikane besonte se qeveria e Kabulit e mbështetur nga SHBA-ja do të rezistonte me muaj kundër talebanëve dhe mendonte se forcat ruse do të pushtonin Ukrainën brenda disa javësh. Të dy vlerësimet ishin të gabuara. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë po nxitojnë tani për të ndihmuar rezistencën e Ukrainës kundër Rusisë në atë që është kthyer në një ngërç të ashpër dhe të dhunshëm.

"Ajo që na shpëtoi ishte vullneti i ukrainasve për të luftuar...dhe na shpëtoi gjithashtu në Afganistan", tha senatori Angus King, në një seancë dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit.

Administrata e presidentit Joe Biden zbuloi paraprakisht synimet e presidentit rus Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.

Avril Haines, drejtoresha amerikane e inteligjencës kombëtare, tha se "vullneti për të luftuar" bashkë me "kapacitetin për të luftuar" ishin të vështira për t'u parashikuar.

SHBA mund të kishte bërë më shumë përpara pushtimit për të ndihmuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn, nëse ligjvënësit do të besonin se Kievi kishte më shumë shanse, tha King. Dhe pas parashikimeve se talebanët do të frenoheshin për aq kohë sa një vit pas tërheqjes amerikane, qeveria e mbështetur nga koalicioni "zgjati minus-dy javë", vuri në dukje King, në referencë për talebanët që pushtuan Kabulin përpara se tërheqja të përfundonte zyrtarisht.

SHBA-ja u detyrua të negocionte me talebanët për të evakuuar mijëra qytetarë amerikanë dhe aleatë afganë që luftonin turmat e mëdha për të siguruar hapësirën në fluturimet e evakuimit. Një sulm në aeroportin e Kabulit vrau 13 trupa amerikane dhe të paktën 170 civilë afganë.

King ngriti zërin për të ndërprerë Gjeneralin Scott Berrier, kreun e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, pasi Berrier tha se besonte se agjencitë e inteligjencës kishin bërë "një punë të madhe".

“Gjeneral, si mund ta thuash këtë kur neve na u tha në mënyrë eksplicite, Kievi do të bjerë brenda tre ditësh dhe Ukraina do të bjerë brenda dy javësh?” tha ai. “Po më thoni se ishte inteligjencë e saktë?

Berrier dëshmoi të martën se “nuk ka pasur kurrë një vlerësim të komunitetit të inteligjencës që thoshte se ukrainasve u mungonte vullneti për të luftuar”. Kjo binte në kundërshtim me deklaratën e tij në mars, kur ai vuri në pikëpyetje vullnetin e tyre për të luftuar. “Ai ishte një vlerësim i keq nga ana ime sepse ata luftuan guximshëm dhe me nder dhe po bëjnë gjënë e duhur”.