Botë

Inteligjenca amerikane: Nuk ka gjasa për sulm bërthamor pavarësisht paralajmërimeve të Putinit

Vladimir Putin nuclear weapons cia

Vladimir Putin

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të lejuar Ukrainën që të godasë brenda territorit rus me armët amerikane nuk e ka rritur rrezikun e një sulmi bërthamor, gjë që nuk ka gjasa, pavarësisht deklaratave gjithnjë e më të ashpra të presidentit rus Vladimir Putin, sipas vlerësimit të inteligjencës amerikane, raporton Reuters të enjten.

Por Rusia ka të ngjarë të rrisë fushatën e sabotimit kundër objektivave evropianë në mënyrë që t’i bëjë presion Perëndimit për mbështetjen që po i jep Ukrainës.

Një seri vlerësimesh të inteligjencës amerikane gjatë shtatë muajve kanë arritur në përfundimin se përshkallëzimi bërthamor nuk ka gjasa të ndodhë edhe nëse SHBA-ja do ta lejonte Ukrainën t’i përdorë armët amerikane në territorin rus, siç edhe bëri administrata Biden së fundmi.

“Vlerësimet ishin konsistente: Raketat ATACM nuk do të ndryshonin llogaritjet bërthamore të Rusisë”, ka thënë një ndihmës i Kongresit amerikan, duke iu referuar raketave amerikane me një rreze veprimi deri në 306 kilometra – të cilat po përdoren nga Ukraina për të goditur në territorin rus.

Lansimi i një rakete të re balistike me rreze të mesme veprimi nga Rusia javën e kaluar, për të cilën analistët thonë se ishte menduar si paralajmërim për Uashingtonin dhe aleatët evropianë, nuk e ka ndryshuar vlerësimin e inteligjencës amerikane për sulm bërthamor.

Për disa muaj pati debat nëse administrata Biden duhet ta lejojë Ukrainën që t’i përdorë raketat me rreze të gjatë për ta goditur territorin rus. Teksa fillimisht ishte kundër, presidenti aktual Biden ndryshoi mendje pas hyrjes së Koresë së Veriut në luftë kundër Ukrainës, duke dërguar trupa për ushtrinë ruse.