Pronatalistët, një grup i vogël kontrovers pothuajse i gjithi nga krahu politik i djathtë, pretendojnë se disa nga njerëzit më me ndikim në qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përkrahës të kauzës së tyre. Por sa kanë me të vërtetë ata ndikim?
Simone Collins është ulur në vilën e saj të shekullit XVIII në Pensilvani, e veshur me kostum të asaj kohe, me një nga katër fëmijët e saj në prehër. Është ora 08:30 e mëngjesit dhe ajo duket pak e lodhur – ajo udhëheq disa biznese, një fondacion dhe për momentin është shtatzënë duke pritur fëmijën e pestë, por ajo dhe burri i saj Malcolm planifikojnë të kenë më shumë.
“Të paktën shtatë, dhe aq shumë sa mund t’i mbaj fizikisht – 12 do të ishte brilante”, ka deklaruar ajo.
Çifti nga SHBA-ja, me moshë 37 dhe 38-vjeçare, me pasion besojnë se bota ka nevojë për më shumë foshnje ose do të rrezikojë kolaps të civilizimit. Ata janë bërë ikona e grupit që janë pro natalitetit, një lëvizje që beson se rënia e lindjeve është një problem i madh për shoqërinë. Dhe familjet e mëdha janë përgjigjja.
Për pesë vjetët e fundit, ata kanë shpërndarë fjalën rreth qëllimit të tyre duke hapur shtëpinë e tyre për intervista dhe foto albume. Ata pretendojnë se kanë përdorur teknologji speciale, gjatë procesit të fertilizimit të asistuar mjekësor (IFV), për të parë nëse embrionet janë të shëndetshëm dhe nuk kanë probleme, sidomos me inteligjencën.
“Studimet na tregojnë se cila është prirja jonë gjenetike për nivelin e inteligjencës (IQ),” i thanë ata një gazetari të infiltruar në vitin 2023. “Kurrë nuk do të zgjedhim një fëmijë që ka një IQ më të ulët se cilido prej nesh”.
Duke folur sot, megjithatë, Malcolm e pranon se “mënyra më e lehtë për ta përhapur mesazhin e grupit që është pro natalitetit ishte ta kthenim veten në një meme”.
“Nëse ndjekim një qasje të arsyeshme dhe themi se gjërat janë të ndërlikuara, askush nuk reagon. Por pastaj themi diçka të ekzagjeruar dhe fyese, dhe të gjithë përfshihen”, vlerësojnë ata.
Por, që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka marrë detyrën si president për mandatin e dytë në fillim të vitit, ata e kanë marrë misionin e tyre në një nivel tjetër. Collinsët tani i shohin disa njerëz në Shtëpinë e Bardhë si aleat potencialë – dhe ata pretendojnë që ta shfrytëzojnë plotësisht atë.
Elon Musk, i cili besohet se ka 14 fëmijë, e ka quajtur rënien e lindjeve si rrezikun më të madh me të cilin po përballet civilizimi. Ai ka dhënë si donacion 10 milionë dollarë në Iniciativën për Mirëqenien e Popullatës në Texas, e cila kryen kërkime në fertilitet, prindërim dhe rritje të popullsisë në të ardhmen.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance po ashtu ka folur hapur rreth qëndrimeve të tij ndaj natalitetit. Në një tubim kundër abortit në janar ai deklaroi se do “më shumë foshnje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ka indikacione të hershme se edhe administrata e Trumpit është duke i dhënë prioritet familjes. Më 18 shkurt, Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me qëllim për të përmirësuar qasjen në IFV, i cili gjithashtu njohu rëndësinë e formacionit të familjes dhe se specifikoi se politika publike e kombit amerikan duhet të bëhet më e lehtë për nënat dhe baballarët që dëshirojnë të bëjnë fëmijë.
Grupi pro natalitetit është i kënaqur me këtë dhe shumë shpresojnë se është një shenjë për gjëra që pritet të ndodhin.
Faktet për rënie të lindjeve janë të qarta. SHBA-ja është në një rekord të ulët prej 1.62 fëmijë për grua, dhe deri në fund të shekullit Organizata e Kombeve të Bashkuara projekton që një numër i vendeve do të kenë një popullatë në ulje. Kjo do të ketë një efekt të madh në shoqëri dhe në ekonomi. Disa besojnë se SHBA-ja mund të përshtatet me kohë ndaj realitetit të ri, por ata që janë pro natalitetit janë më skeptikë.
Por është edhe një element politik në këtë lëvizje. Grupi pro natalitetit është pothuajse ekskluzivisht nga e djathta politike. Malcolm dhe Simone Collins, për shembull, e përshkruajnë veten si ish-liberalë që u dëshpëruan me politikat progresiste “woke”.
Ata e shohin veten si pragmatik dhe kundër burokracisë.
“Ne jemi një koalicion i njerëzve që janë jashtëzakonisht ndryshe në filozofitë tona, besimet teologjike tona, strukturat familjare tona. Por ajo që ne pajtohemi në atë që armiku ynë kryesor është monokultura urbane: kultura përbashkuese e majtë”, ka deklaruar Malcolm.
Pra, a mundet ky grup i vogël me të vërtetë të marrë vëmendjen e disa prej njerëzve më me ndikim në qeverinë e SHBA-së? Dhe nëse po, sa fuqi mund të kenë ata që të ndikojnë në politika jo vetëm rreth rënies së popullatës por në probleme tjera më të gjera?
Vance, Musku dhe “presidenti i fertilizimit”
Fundjavën e kaluar, një grup i rreth 200 personave që janë pro natalitetit u mblodhën në Texas për konferencën e dytë “Natal”, një organizim i përvitshëm që zgjatë një fundjavë dhe ku pjesëmarrja kushton rreth 1,000 dollarë.
Konferenca bashkon dy grupe pro natalitetit që vijnë nga degë të ndryshme të së djathtës amerikane: konservatorët e djathtë të krishterë dhe anëtarët e ashtuquajturës “e djathta teknologjike”, një degë në rritje që doli nga libertarianët, kulturë e sapo filluar në Silicon Valley.
Disa janë të lidhur me qeverinë e tanishme të SHBA-së. Michael Anton ishe emëruar nga Trumpi si drejtor i Planifikimit të Politikave në Departamentin e Shtetit. Ai foli në konferencën e vitit të kaluar.
Folës të tjerë të këtij viti përfshinin Carl Benjamin, i cili ka lidhje me aktivistët e të djathtës ekstreme Tommy Robinson, dhe Charles Cornish-Dale dhe një influencer që njihet me emrin Raw Egg Nationalist.
“Është sikur një aleancë johyjnore”, ka deklaruar Catherine Pakaluk, ekonomiste, nënë e tetë fëmijëve dhe njerkë e gjashtë fëmijëve të tjerë. Edhe ajo ka folur në konferencë por heziton ta quaj veten person pro natalitetit. “Është një lëvizje e komplikuar që përfshin njerëz me pozicione shumë të ndryshme”, ka shtuar ajo.
Një gjë që ata kanë të përbashkët, gjithsesi, gjithçka që ata duan është që mesazhet e tyre të dëgjohen në nivelet më të larta të qeverisë.
Disa besojnë se zëri tyre po dëgjohet. “(Nëse më pyesni mua) a kemi persona pro natalitetit në Shtëpinë e Bardhë tani, që po shtyjnë politikën tonë?, përgjigja ime ndaj kësaj do të ishte, ‘mendoj, po, Eloni dhe JD Vance”.
Deri tani nga urdhrat ekzekutiv të presidentit Trump, ka pasur shumë pak rreth kësaj, përveç urdhrit për IFV-në që mund të shihet si direkt pro familjes. Por mendimi pro natalitetit mund të fillojë të ndikojë politika që janë më pak të drejtpërdrejta rreth fertilitetit.
Në janar, sekretari i transportit në SHBA, Sean Duffy ka shpërndarë një dokument që udhëzonte departamentin e tij që kur shpërndajnë grante t’u japë përparësi komuniteteve me shkallë më të lartë të martesave dhe lindjeve sesa mesatarja kombëtare.
Roger Severino, zëvendëspresidenti i Politikës së Brendshme në Think Tankun e krahut të djathtë politik “Heritage Foundation”, sheh ndikimin e JD Vance në atë politikë. “Vance vjen nga një histori e gjatë e mendimeve pro familjes dhe bërjes së politikës”, ka deklaruar ai.
Vance shpesh ka folur rreth nevojës për të rregulluar një “kulturë të thyer” që është duke e shkatërruar familjen në SHBA, duke minuar burrat.
Në intervistat e fundit, ai shtoi se “besojmë se zoti e ka krijuar burrin dhe gruan për një qëllim dhe ne duam që ju të përparoni si burra të rinj dhe gra të reja dhe ne do të ju ndihmojmë me politika publike për ta bërë atë të mundur”.
Kjo ide është përsëritur në grupet që janë pro natalitetit.
“Vance është politikan i zëshëm pro natalitetit. Vetë Trumpi ka bërë fushatë në implementimin e një “baby boom” të ri dhe javën e kaluar ai e deklaroi vetën si “presidenti i fertilizimit”.

Personat pro natalitetit që po hartojnë urdhra ekzekutivë për “bëje vetë”
Malcolm thotë se ai veçse ka bërë përpjekje për të ndikuar në Shtëpinë e Bardhë. Ai pretendon se ka ndikuar në “krijimin e lidhjeve në prapaskenë me persona me ndikim, duke u siguruar se është bërë normale të flitet rreth idesë së pro natalitetit në qendrat e pushtetit dhe se ajo përfundoi duke pasur ndikim deri në administratë dhe në themelet e kulturës teknologjike”.
Ata janë në bisedime për politikat pro natalitetit me Heritage Foundation. Pastaj është një qasje më direkte që ata pretendojnë se kanë marrë. “Ne kemi çuar drafte të urdhrave ekzekutivë në administratën e Trumpit”, ka deklaruar Simone.
Propozimet e tyre përfshijnë sugjerime se si të largohen rregullat nga ofruesit e kujdestarisë së fëmijëve dhe zgjerimi i zgjidhjeve të ulëseve të veturave që të mund të zënë më shumë fëmijë.
Çifti mendon se kjo edhe për pak kohë kjo nuk do të nxisë diçka konkrete – por ata besojnë se kanë një audiencë të dëgjueshme.
Lidhja e tyre me pushtetin është falë të ashtuquajturës e djathta teknologjike, një lëvizje reaksionare kundër liberalizmit e udhëhequr nga disa nga njerëzit më të fuqishëm në Silicon Valley. Ata në të djathtën teknologjike përfshinë bashkëthemeluesin e “Paypalit”, Peter Thiel – i cili sponsorizoj garën e Vanceit në Seant dhe ka investuar në teknologjinë fertilizuese – dhe kapitalistët e investimeve David Sacks dhe Marc Andreessen.
Simone Collins është ish-drejtori menaxhues i një klubi të anëtarëve ekskluzivë të udhëhequr nga Thieli, dhe çifti thotë se ata kanë udhëhequr dy grupe me ftesa të tjera rrejti për elita të biznesit. Fondacioni i tyre pro natalitetit, i themeluar në vitin 2021, ka marrë 500,000 dollarë përmes një fondi të bashkëthemeluesit të “Skypit”, miliarderit estonez, Jann Tallin.
“E djathta teknologjike sjell shumë energji në diskutime. Ne kemi qenë duke diskutuar se si ne mund të bashkojmë degë të së djathtës. Po përpiqemi të bashkojmë lëvizjen”, ka deklaruar Roger Severino.
Çarje në aleancën pro-nataliste
Gjithsesi ka çarje në aleancë, e cila i shton sfidat në përpjekjet për të bashkuar lëvizjen.
Shumë në të djathtën tradicionale religjioze kanë dyshime rreth përdorimit të IVF-së dhe nuk pajtohen me vëzhgimin e embrioneve, derisa disa kundërshtojnë martesat në mes të homoseksualëve.
“Është thjeshtë një aleancë e pazakontë e njerëzve që duket se pajtohen në këtë pikë, shkalla e lindjeve është shumë e ulët. Por ka shumë perceptime dhe ide të ndryshme se çfarë duhet bërë për të rregulluar atë”, ka shtuar Pakaluk.
“Ka interes të rilindur në idenë pro natalitetit dhe promovim të familjes në mesin e konservatorëve amerikanë”, ka deklaruar Timothy Carney, autor i librit “Family Unfriendly, How our Culture Made Raising Kids Much Harder than it Needs to Be”. Por ai shton se “sigurt do të ketë tensione”.
Një nga problemet më të mëdha përçarëse në grupin e atyre që janë pro-natalitetit është theksimi i disa aspekteve që kanë lidhje me gjenetikën në mesin e pjesëmarrësve të së djathtës teknologjike. Është diçka që ka shkaktuar shqetësim, veçanërisht rreth etikës së saj, në të gjitha anët e spektrit politik.
Patrick T Brown, anëtar i Qendrës për Politikë Publike dhe Etikë Amerikane që anon nga e djathta, që punon në politikën pro familjes, sugjeron se urdhri ekzekutiv për të përmirësuar qasjen në IFV mund të shfaqë ndikimin e së djathtës teknologjike në politikë. “Shndërrimi i fëmijëve në produkte konsumatori është diçka që më shqetëson me të vërtetë. Ajo çon në një vend me probleme”, ka deklaruar Brown.
Disa nga pjesëmarrësit e konferencës së fundit e përshkruajnë veten si “realistë të racës”, dhe njëri ka publikuar qasje ofenduese nën pretendimin se ka një lidhje në mes inteligjencës dhe racës, që sipas shumë shkencëtarëve është plotësisht e gabuar.
Shkencëtar britanik, autori dhe prezantuesi, i njohur për punën e tij në fushën e gjenetikës dhe shkencave biologjike, Adam Rutherford i ka përshkruar të dhënat e përdorura si “mashtruese dhe raciste, të nxjerra nga shembuj të pashpresë që nuk mund të arrijnë të përbëjnë prova shkencore të mjaftueshme për këdo që interesohet për të vërtetën”.
“Këto qëndrime janë rikapitullime të ideve historike të racizmit shkencor”, shtoi ai.
Qëndrimet me qasje ekstreme në këtë lëvizje janë një nga arsyet pse shumë njerëz nuk duan ta quajnë veten persona pro natalitetit. Catherine Pakaluk është një nga ta. “Mendoj se me shumë gjasë janë disa persona që janë eugjenistë apo supermacistë të bardhë”, ka deklaruar ajo.
“Për mua është e neveritshme dhe e dënueshme dhe nuk kam interes që asnjëherë të anohem me persona të tillë”, ka shtuar ajo.
A mundet polemika të kthehet në fuqi të butë?
Pyetja që mbetet është, e gjithë kjo ku i vendos personat pro natalitetit – dhe sa fuqi kanë ata?
Sipas disa mbikëqyrësve, ndikimi i tyre veçse po ndjehet. “Sigurisht ka ndikim të madh nga personat pro natalitetit në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit. Mendoj se një pyetje e pazgjidhur është se si kjo do të ndikojë në përpjekjet për të ndaluar kontrollin e lindjes dhe kontracepsionin, dhe si do të ndikojë kjo në debatet rreth shpenzimeve për shembull në financimin e kujdesit për fëmijë”, ka deklaruar Cohen.
Carney është më i kujdesshëm. “Vance është shumë pro familjes dhe shumë pro natalitetit dhe ai do që qeveria të promovojë familjet dhe të ndihmojë në rritjen e lindjeve – por JD Vance nuk është presidenti. Nuk mendoj se Donald Trump ka prirje të fortë mbi këtë”.
Po ashtu ai beson se mund të ketë rezistencë në disa politika pro-familjes, duke theksuar se të paktën disa republikanëve në Kongres nuk iu pëlqen ideja e mbështetjes së familjes. “Ata mendojnë se ajo është mirëqenie për të pamerituarit”, ka shtuar ai.
Vëmendja e marrë nga Collinët, dhe nga konferenca e fundit, është e padyshimtë. Por një nga ekspertët sugjeron se ata janë duke bërë më shumë sesa nxitje të polemikave.
“Nëse shkoni në Capitol Hill, dhe bisedoni me anëtarë të Kongresit apo guvernatorët në shtetet amerikane, ata as nuk e njohin problemin”, sipas Brownit.
Siç i quan ai “stimujt e internetit” nuk janë gjithmonë stimujt e një lëvizje të suksesshme të masave.
“Dhe çfarë merr vëmendje është provokimi, emocionimi dhe kapërcimi i kufijve. Ato marrin klikime, dhe ndjekës. Por për mua ajo nuk është mënyra se si ju ndryshoni dinamikat politike”, ka shtuar Brown.