Botë

Indonezia në rrezik nga cunami pas disa shpërthimeve vullkanike

Vullkan në Indonezi

Vullkan në Indonezi

Foto: Associated Press

Autoritetet indoneziane kanë lëshuar një paralajmërim për cunami të mërkurën, pasi shpërthimet në malin Ruang shkaktuan hi në mijëra metra lartësi. Zyrtarët urdhëruan më shumë se 11,000 njerëz të largoheshin nga zona.

Vullkani në veri të ishullit Sulawes kishte të paktën pesë shpërthime të mëdha në 24 orët e fundit, ka bërë të ditur Qendra e Indonezisë për Vullkanologjinë dhe Fatkeqësitë Gjeologjike, raporton AP.

Autoritetet kanë ngritur paralajmërimet për vullkan në nivelin më të lartë. 

Të paktën 800 banorë e kanë lëshuar zonën mëngjesin e së mërkurës. 

Indonezia, një arkipelag i 270 milionë njerëzve, ka 120 vullkan aktivë. Vendi është i prirur ndaj aktivitetit vullkanik, sepse ndodhet përgjatë "Unazës së Zjarrit", një seri linjash sizmike në formë patkoi rreth Oqeanit Paqësor.

Autoritetet kanë kërkuar nga turistët dhe të tjerët që të qëndrojnë të paktën 6 kilometra larg nga vullkani Ruang.

Zyrtarët kanë shprehur frikën se pjesë të vullkanit mund të derdhen në det duke shkaktuar cunami si në vitin 1871.

Ishulli Tagulandang në verilindje të vullkanit është përsëri në rrezik dhe banorët e tij janë ndër ata që u është thënë të evakuohen. Agjencia Kombëtare e Indonezisë për Zbutjen e Fatkeqësive ka thënë se banorët do të zhvendosen në Manado, qyteti më i afërt, në ishullin Sulawesi, një udhëtim prej gjashtë orësh me varkë. 

Në vitin 2018, shpërthimi i vullkanit Anak Krakatau të Indonezisë shkaktoi një cunami përgjatë brigjeve të Sumatrës dhe Java, pasi një pjesë e malit ra në oqean, duke lënë të vdekur 430 njerëz.