Test për Narendra Modin

Indianët votojnë në fazën e parë të zgjedhjeve më të mëdha në botë

Zgjedhjet në Indi

Zgjedhjet në Indi

Foto: Associated Press

Miliona indianë filluan të votojnë të premten në zgjedhjet gjashtëjavore që janë një referendum për Narendra Modin, kryeministrin populist që po kërkon një mandat të rrallë të tretë si udhëheqës i vendit.

Votuesit filluan të prisnin në radhë në qendrat e votimit disa orë përpara se të lejoheshin të hynin në orën 7:00 të mëngjesit, në 21 shtetet e para, nga malet Himalaje deri në ishujt tropikal Andaman.

Afro 970 milionë votues – më shumë se 10% e popullsisë së botës, do të zgjedhin 543 anëtarë në dhomën e ulët të Parlamentit për pesë vjetët e ardhshme, gjatë zgjedhjeve të shkallëzuara që do të zgjasin deri më 1 qershor. Votat do të numërohen më 4 qershor, raporton AP.

Këto zgjedhje shihen si një nga më të rëndësishmet në historinë e Indisë dhe do të testojnë kufijtë e dominimit politik të Modit.

Nëse Modi fiton, ai do të jetë lideri i dytë indian që do të mbajë pushtetin për një mandat të tretë, pas Jawaharlal Nehru, kryeministri i parë i vendit.

Shumica e sondazheve parashikojnë një fitore për ModiN dhe Partinë e tij nacionaliste hindu “Bharatiya Janata”, të cilët janë kundër një aleance të gjerë opozitare të udhëhequr nga Kongresi Kombëtar Indian dhe partitë e fuqishme rajonale.

Nuk është e qartë se kush do ta udhëheqë Indinë nëse aleanca opozitare, e quajtur INDI, fiton zgjedhjet. Më shumë se 20 partitë e saj nuk kanë paraqitur ende një kandidat.