Qeveria e Indisë ka lejuar shoqatën bamirëse “Nënë Tereza” të marrë fonde të huaja, disa javë pasi e bllokoi duke thënë se organizata katolike nuk i plotësonte kushtet sipas ligjeve lokale.
Derek O'Brien, deputet nga partia opozitare e Kongresit Trinamool, tha se shoqata është rikthyer në listën e të miratuarave pasi iu rivendos edhe licenca.
Në Krishtlindje, qeveria kishte refuzuar kërkesën e saj për të rinovuar një licencë që i lejon asaj të marrë fonde nga jashtë. Vendimi u kritikua gjerësisht nga politikanët e opozitës dhe grupet e të drejtave dhe erdhi në vazhdën e një vargu sulmesh ndaj të krishterëve në disa pjesë të Indisë nga grupet nacionaliste hindu, të cilat shpesh akuzojnë pastorët dhe kishat për konvertime të detyruara, raporton AP.
Organizata bamirëse, të cilën Nënë Tereza e filloi në Kalkuta në vitin 1950, drejton qindra strehimore që kujdesen për disa nga njerëzit më në nevojë në botë. Shumë liderë nga partia Bharatiya Janata në pushtet e kanë akuzuar bamirësinë për konvertime të detyruara. Organizata bamirëse i ka mohuar akuzat.
Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen për punën e saj në vitin 1979 dhe Papa Françesku e shpalli atë shenjtore në vitin 2017, dy dekada pas vdekjes së saj.