Imazhet satelitore të publikuara në 24 orët e fundit dëshmojnë për dëmet e mundshme në një bazë ajrore iraniane pas një sulmi izraelit në orët e hershme të së premtes, raporton “BBC”.
“BBC Verify” ka analizuar dy imazhe që tregojnë se një sistem i mbrojtjes ajrore në fushën ajrore në Isfahan është dëmtuar.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Izraeli ka kryer sulm me raketa, ndonëse nuk ka pasur një konfirmim nga vetë Izraeli.
Tensionet mes Izraelit e Iranit janë rritur në javët e fundit.
Një sulm i pretenduar izraelit në Konsullatën e Iranit në Siri në fillim të prillit kishte lënë të vdekur dy gjeneralë iranianë. Irani nisi një sulm hakmarrës ndaj Izraelit më 13 prill, duke lansuar qindra dronë e raketa. Izraeli tha se 99 për qind e këtyre dronëve e raketave u rrëzuan.