Autoritetet në Hawaii kanë paralajmëruar se gjetja dhe identifikimi i të vdekurve nga zjarret që kanë bërë shkrumb e hi gjithçka, do të zgjasin me vite për shkak të shkallës së djegies dhe procedurave në analizat e ADN-së. Ndërkohë, Qeveria e presidentit Joe Biden është duke u kritikuar për reagimin e vonshëm pas zjarreve
Emrat e parë të njerëzve që kanë humbur jetën nga zjarret në Maui të Hawaiit janë publikuar të mërkurën nga zyrtarët.
Publikimi i emrave të të moshuarve, Robert Dyckman, 74-vjeçar dhe Buddy Jantoc, 79-vjeçar, është bërë një javë pas zjarreve nga të cilat humbën jetën së paku 106 persona.
Pas zjarrit katastrofik që ka shkatërruar plotësisht qytetin historik të Lahainas, autoritetet kanë qenë të ngadalshme në kërkimin për viktimat e tjera. Raportohet se 1 mijë e 300 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Më shumë se 20 qenë nuhatës janë stërvitur për të gjetur trupat, mirëpo vetëm një zonë e vogël është kontrolluar deri më tani.
Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, ka thënë se vetëm 27 për qind e zonës së katastrofës është kontrolluar nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Ai ka paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të ngrihet ndjeshëm, madje edhe të dyfishohet në 10 ditët e ardhshme.
Autoritetet më pas duhet të përfundojnë punën e vështirë të identifikimit të të vdekurve, proces i komplikuar nga shkalla e djegies së viktimave dhe analizave të ADN-së.
Ato kanë paralajmëruar se do të duhen disa vjet për identifikimin e plotë të viktimave.
Ndërkaq Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka vlerësuar se do të duhen 5.5 miliardë dollarë për rindërtimin e ishullit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se do të udhëtojë në Hawaai sa më shpejt që të jetë e mundur. Qeveria e tij po përballet me kritika në lidhje me reagimin e dobët pas katastrofës.