Botë

I veshur si punëtor i mbeturinave, dënohet vrasësi i Flamur Beqirit në Britani

Anis Fouad Hemissi ishte pjesë e një ekipi prej katër personave të dërguar nga Suedia për të vrarë Flamur ‘Alex’ Beqirin në prag të Krishtlindjeve të vitit 2019, si pjesë e një grindjeje në përshkallëzim mes dy bandave kriminale.

Vrasësi suedezo-tunizian, i cili qëlloi për vdekje Beqirin në pragun e shtëpisë së tij në sy të gruas dhe fëmijës së tij, është shpallur fajtor për vrasjen e tij. Ai mohoi akuzat. 

Por Hemissi bëri një gafë gjatë kryerjes së ekzekutimit. Ai përdori një biçikletë të grave dhe pas ekzekutimit nisi të pastronte një pronë private. Banori i kësaj prone i kërkoi atij të largohej, dhe nga nxitimi ai e la biçikletën.

Ai kishte fluturuar në Britani katër ditë para vrasjes me të vetmin qëllim për të "ekzekutuar" Beqirin, sipas gjykatës.

Hemissi më pas fluturoi për në Kopenhagë, Danimarkë, në orët e para të ditës së Krishtlindjes pasi kreu vrasjen.

Ai u arrestua në Aeroportin e Kopenhagës më 20 janar 2020 përpara se të ekstradohej në Britani.

24-vjeçari vrau Beqirin bashkë me një “grup të organizuar”, të cilët ishin paguar për të kryer këtë ekzekutim, është thënë në Gjykatën e Southwark Crown.

Shtetasi suedez Estevan Pino-Munizaga, 35 vjeç, u lirua nga akuza për vrasje, por u shpall fajtor për një akuzë alternative për vrasje nga pakujdesia.

Tobias Andersson, 32 vjeç dhe Bawer Karaer, 23 vjeç, gjithashtu nga Suedia, u liruan nga të dyja akuzat.

Të gjithë pjesëmarrësit ishin veshur si “punëtor të mbeturinave” gjatë momentit kur kryen aktin.

Kushëriri i Karaerit, Ahmet Karaer, i dyshuar se ka ndihmuar në financimin, planifikimin dhe organizimin e vrasjes, kërkohet nga policia, pasi u zhduk pasi u deportua nga Egjipti, ku u arrestua për kontrabandë droge.

Beqiri, i cili ishte vëllai i ish-yllit të Real Housewives of Cheshire, Misse Beqiri, po kthehej në shtëpi dorë për dore me gruan e tij Dëbora Krasniqi dhe djalin e tyre dy vjeçar kur u vra.

Prokurorja e lartë e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës, Louise Attrill, ka thënë se vrasja ishte pjesë e një "një rivaliteti kokë më kokë midis dy grupeve shumë të rëndësishme të krimit të organizuar".

Pamjet e kamerave CCTV treguan se Beqiri u godit nga tetë plumba jashtë shtëpisë së tij në Battersea, në jugperëndim të Londrës, pasi Hemissi gjuajti 10 herë.

Dëbora Krasniqi mund të dëgjohej duke bërtitur dhe të shihej duke përqafuar djalin e saj dy vjeçar në pamje që u zbuluan në gjykatë.

Djali tre muajsh i çiftit dhe tre gjyshërit e fëmijëve ndodheshin brenda shtëpisë, ndërsa personi i armatosur u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë menjëherë pas të shtënave.

Viktima, Flamur Beqiri, ishte përfshirë në "krim të rëndë dhe të organizuar", duke përfshirë tregtinë ndërkombëtare të drogës, iu tha jurisë. Ai kishte nënshtetësi shqiptare, por edhe suedeze.

Beqiri ishte përfshirë në një luftë për të kontrolluar trafikun e narkotikëve nga Suedia në Spanjë e vend të tjera të ulëta.

36-vjeçari e kishte ndjerë rrezikun se dikush donte ta eliminonte. Kohëve të fundit sa herë që dilte me gruan e tij në kafene apo restorante, ulej përballë derës. Mirëpo, ai nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes, madje ajo i erdhi në vendin më të prapritur, në një nga lagjet më luksoze të Londrës, aty ku jetonte.