Botë

I liruar nga Rusia, ish-marinsi amerikan plagoset gjatë luftimeve në Ukrainë

Është e paqartë se sa amerikanë kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë. Por konflikti ka tërhequr luftëtarë nga e gjithë bota, teksa autoritetet ukrainase thonë që me mijëra vullnetarë nga dhjetëra vende i janë bashkuar kauzës së tyre. Ukraina krijoi një forcë ndërkombëtare luftarake vetëm disa ditë pas pushtimit të Rusisë, në shkurtin e 2022-s

(AP) – Një ish-marins amerikan, i cili është liruar nga Rusia në një shkëmbim të të burgosurve vitin e shkuar, është plagosur gjatë luftimeve në Ukrainë, ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.

Trevor Reed është plagosur disa javë më parë, sipas një personi të njohur me situatën, i cili nuk ishte i autorizuar të diskutonte çështjen me emër dhe foli për Associated Pressin nën kushtin e anonimitetit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, ka njoftuar se ai është dërguar në Gjermani për kujdes mjekësor.

Zyrtarët amerikanë folën pak për plagosjen ose praninë e Reedit në Ukrainë, teksa thanë që aktiviteti i tij nuk ishin në emër të qeverisë amerikane. Mirëpo vendimi i Reedit për të marrë armët gjatë luftës së Rusisë me Ukrainën i ndërlikon potencialisht përpjekjet e SHBA-së për të fituar lirimin e dy amerikanëve të tjerë, të cilët mbahen ende të arrestuar nga Moska – gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich dhe ekzekutivi i sigurisë së korporatës, Paul Whelan. Luftimet e tij rrezikuan gjithashtu një skenar potencialisht të tmerrshëm nëse ai do të kapej dhe do të kthehej në paraburgim rus, pasi SHBA-ja kishte punuar për ta kthyer atë në shtëpi.

“Siç tregova, kemi qenë jashtëzakonisht të qartë duke paralajmëruar qytetarët amerikanë, shtetasit amerikanë, që të mos udhëtojnë në Ukrainë, e lëre më të marrin pjesë në luftime”, ka theksuar Patel. “Siç e dini, nuk jemi në pozitë për të ofruar ndihmë në evakuimin e qytetarëve privatë të SHBA-së nga Ukraina, duke përfshirë ata amerikanë që mund të vendosin të udhëtojnë në Ukrainë për të marrë pjesë në luftime”.

Shkalla e lëndimit të Reedit nuk ishte menjëherë e qartë, por Pateli ka treguar se ai u transportua jashtë Ukrainës nga një organizatë joqeveritare. Ai u dërgua në Qendrën Mjekësore Rajonale Landstuhl, qendër e kujdesit për traumat, e vendosur pranë bazës ajrore Ramstein, kanë thënë dy zyrtarë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Nuk dihet se sa amerikanë kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë. Por konflikti ka tërhequr luftëtarë nga e gjithë bota, teksa autoritetet ukrainase kanë thënë se me mijëra vullnetarë nga dhjetëra vende i janë bashkuar kauzës së tyre. Ukraina krijoi një forcë ndërkombëtare luftarake vetëm disa ditë pas pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022.

Reed është liruar nga paraburgimi rus në një shkëmbim të të burgosurve në prill të vitit 2022, në këmbim të pilotit rus, Konstantin Yaroshenko, i cili po vuante një dënim federal 20-vjeçar për kontrabandimin e kokainës në SHBA.

Reed është arrestua në verën e 2019-s, pasi autoritetet ruse thanë se ai sulmoi një polic teksa ishte nën ndikimin e alkoolit. Më vonë ai u dënua me nëntë vjet burgim.

Administrata amerikane më vonë e caktoi atë si të ndaluar padrejtësisht dhe bëri presion për lirimin e tij, ndërsa familja e tij ka pohuar pafajësinë e tij. Të afërmit ishin gjithashtu të shqetësuar për shëndetin e tij të përkeqësuar. Në një moment ai tha se po kollitej gjak gjersa ishte në paraburgim. Ai gjithashtu ka organizuar një grevë urie për të protestuar ndaj kushteve në të cilat ishte mbajtur.

Përktheu: Blerta Haxhiu