Të premten përmbytjet e forta kanë goditur veriun e Afganistanit, të shkaktuara nga kombinimi i pazakontë i stuhive të fuqishme që kanë ardhur pas dimrit të thatë, i cili e ka lënë tokën shumë të fortë për ta absorbuar ujin
Disa ditë pas përmbytjeve, Noor Mohammedi i gjeti trupat e familjarëve të tij në rrugë dhe në fusha.
75-vjeçari ka qenë vetëm 100 metra larg nga shtëpia e tij në veri të Afganistanit, kur e ka dëgjuar zhurmën e ujit të tërbuar duke u afruar.
Noori ka vrapuar drejt shtëpisë ku gruaja, motra, djali, nipi dhe mbesa e tij ishin duke pushuar.
Por ishte shumë vonë.
Rryma e fuqishme e ujit ia kishte rrëmbyer familjen dhe shtëpinë e tij.
Përmbytjet e forta e kanë goditur të premten veriun e Afganistanit, të shkaktuara nga kombinimi i pazakontë i stuhive të fuqishme që kanë ardhur pas dimrit të thatë, i cili e ka lënë tokën shumë të fortë për ta absorbuar ujin. Shkatërrimet e shkaktuara shtrihen për milje të tëra.
Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se më shumë se qindra veta kanë vdekur dhe mijëra shtëpi janë shkatërruar nga përmbytjet, çka ka prekur pesë distrikte në provincën veriore të Afganistanit, Baghlan. Numri i viktimave pritet të rritet.
Provincat e Badakhshanit, Ghori dhe Herati perëndimor gjithashtu janë dëmtuar rëndë.
“Jam ndier i pashpresë”, thotë Noori.
Ishte mbrëmje kur ai kishte kontrolluar vrullshëm zonën rreth shtëpisë së tij në fshatin Gaz të Baghlanit, por nuk kishte mundur t’i gjente askund gjurmët e familjes së tij.
Ai është dorëzuar kah ora 01:00 e mëngjesit dhe në mes të natës ka ecur drejt shtëpisë së vajzës së tij, Saeeda, tri orë larg.
Ai është kthyer në shtëpinë e tij ditën tjetër dhe i ka gjetur trupat e familjes së tij.
“Ishte e tmerrshme”, thotë ai.
Noori thotë se ai kurrë nuk ka përjetuar diçka të tillë në jetën e tij – as nga fatkeqësitë natyrore që shpesh e godasin zonën e as nga lufta civile që kishte ndodhur në vend.
Vajza e Saeedas, 25-vjeçare, e cila ka qenë mbesa e Noorit e që ka vdekur në përmbytje, thotë se stuhia që po afrohej ka tingëlluar si përbindësh dhe se ata kanë qenë të frikësuar.
Në fshatin e Noorit, i cili është akoma i paarritshëm përmes rrugës, shumica e familjeve kanë humbur të paktën dy ose tre të afërm në përmbytje dhe dëshpërimisht kanë nevojë për ndihmë.
“Ne kemi udhëtuar në zona ku gjithçka është zhdukur”, thotë Rouzatullahu, infermier që ka vizituar një nga fshatrat më të prekura, të quajtur Fullol, me ekipin e tij.
Peizazhi i fatkeqësisë
Pemë të shkulura me rrënjë, tulla dhe vetura të prishura vërehen në lloçin e trashë të Fullolit. Dikur i lëngshëm, tash në nxehtësi ka filluar të ngurtësohet, duke e bërë më të vështirë për ata që gërmojnë, për t’i nxjerrë të mbeturat e tyre.
Muhammad Guli është duke përdorur një lopatë për të gërmuar nëpër dhomat e shtëpisë së tij.
“Neve nuk na ka mbetur asnjë gotë për çaj, nuk ka mbetur asgjë”, thotë ai. E vetmja gjë që ai ka arritur ta shpëtojë është një biçikletë e shtrembëruar, të cilën ai e ngarkon mbi gomarin e tij.
Disa ditë pas përmbytjes, disa familje ende po i kërkojnë trupat e të dashurve të tyre. Në një shtëpi është mbledhur një turmë e njerëzve pasi ishte gjetur trupi i një vajze, e cila ishte mbuluar me çarçaf dhe ishte marrë nga një ambulancë.
Rouzatullahu ka nxituar në zonë me 15 infermierë të tjerë, mjekë dhe infermierë të ndihmës së parë.
Ai thotë se ka ndihmuar më shumë se 200 njerëz të lënduar, duke e përfshirë një burrë që i ka humbur 16 anëtarë të familjes së tij.
Por ata nuk kanë mundur t’i arrijnë disa zona të largëta ku njerëzit kanë dëshpërimisht nevojë për ndihmë.
“Nuk ka ujë të pijshëm”, thotë Rouzatullahu, duke paralajmëruar se mund të ketë shpërthim të sëmundjeve të shkaktuara nga uji i ndotur, të tilla si tifoja dhe dizenteria.
Në zonat që ata kanë mundur t’i arrijnë, ekipi ka nisur të vendosë qendra të ndihmës dhe janë duke punuar për t’i larguar trupat e vdekur.
Në secilin fshat ka një histori të humbjeve.
Një burrë tregon fotografinë e nipi të tij 5-vjeçar, Abu Bakar. Ai ka qenë duke luajtur me gjyshin e tij kur i ka goditur uji. Teksa ata janë përpjekur t’i shpëtojnë, Abu Bakarin e ka marrë me vete rryma e fuqishme e ujit. Ai është mbajtur fort në këmbën e gjyshit të tij teksa është përpjekur të shpëtonte, saqë i ka lënë shenjë. Nëna e tij ka arritur vetëm të shikonte teksa djali i saj ishte larguar dhe ishte marrë me vete nga përmbytja.
Abdul Khaliqi ka qenë jashtë qytezës kur ka dëgjuar për përmbytjen. Derisa është kthyer, gjithçka që ka mbetur prej shtëpisë së tij ishte një pjesë e vogël e murit të banjës. Pjesa tjetër tani është e rrafshuar. Nga 18 anëtarë, 10 prej tyre kanë vdekur, të përbirë nga përmbytja.
“Ne i kemi kërkuar anëtarët e familjes në lloçin që na vinte deri në gjunjë, prandaj hoqëm këpucët dhe vazhduam kërkimin”, thotë ai. “Në fund, i gjetëm trupat e tyre një milje larg nga këtu”.
Të tjerët e tregojnë momentin kur goditi fatkeqësia – ka ardhur një thirrje se uji është duke u afruar. Disa kanë qenë në gjendje të largohen nga rruga e tij, por e kanë humbur të gjithë pasurinë e tyre.
“Kam luftuar ta arrij katin tjetër në mes të kaosit. Shtëpitë tona dhe blegtoria janë marrë me vete nga rryma e ujit”, thotë Zuhra Bibi, e cila tani është duke fjetur në një tendë prej gome.
Ajo thotë se nuk ka parë kurrë diçka të tillë në jetën e saj. Përmbytjet nuk janë të pazakonta, por në 20, 40, 60 vjet askush nuk ka parë përmbytje të tilla në këtë zonë.
“Ishte i vetmi burim i të ardhurave”
Në fshatin e Gudanit Bala, Mohammad Rasooli është duke pirë cigare në një fushë ku dikur janë rritur të korrat e tij. Tani fusha është pishinë e ujit të trashë me lloç.
Hektarë të tërë të tokave të fermave – ferma të pambukut dhe të korrave të grurit – janë shkatërruar plotësisht.
Duke ecur nëpër fushat me grurë që janë prerë në dysh nga forca e ujit, çka ka shqyer kërcejtë jeshil, vërehen rrënojat gri të shtëpive të lëna pas nga uji.
Mohammadi ndihet me fat që familja e tij i ka mbijetuar përmbytjes, por ai ka humbur gjithçka tjetër.
“Ky ishte i vetmi burim i të ardhurave që kisha”, thotë ai, duke treguar kah fushat me të korra të shkatërruara nga uji. “Ndihem i pashpresë”.
Si 80% e afganëve, burim kryesor i të ardhurave të tij është bujqësia. Mohammadi thotë se ai nuk është i sigurt se si do ta mbijetojë familja e tij pa këto të ardhura.
Ai tregon me gisht në distancë kah mbetjet e shtëpisë së tij. Ai nuk mund të rikthehet atje, sepse niveli i ujit nga përmbytja është akoma i lartë.
“Nuk kam asgjë tani, çfarë të bëj? Kam një familje për të cilën më duhet të siguroj, por nuk kam asgjë”.
Para goditjes së përmbytjes, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se rreth 24 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së Afganistanit, do të ketë nevojë për ndonjë formë të ndihmës humanitare këtë vit.
Nuk janë prekur vetëm të korrat. Mohammedi thotë se fqinji i tij i ka humbur dy lopë nga përmbytjet. Ato ishin e vetmja mënyrë me të cilën ai e ka siguruar jetesën.
Dhe Noori, i cili është duke qëndruar me vajzën e tij, thotë se të vetmet gjëra që i kanë mbetur janë rrobat që i mban veshur. Ai ka jetuar në shtëpinë që i është shkatërruar nga përmbytja që kur ishte fëmijë – babai i tij e kishte ndërtuar atë 65 vjet më parë.
“Kisha shpresa për të ardhmen”, thotë ai. “Djali dhe mbesa ime ishin mësues dhe isha krenar, sepse ata po kontribuonin për të ardhmen e vendit”.